Mjeku: Në maternitet po qëndrojnë 6 gra në një dhomë
Deputeti Erion Braçe akuzon ministrat Ruli e Godo për procedura të paligjshme për privatizimin e maternitetit të Beratit
BERAT - "Ajo që po ndodh me maternitetin është poshtërim dhe vjedhje dinjiteti për nënat dhe motrat beratase, të cilat qëndrojnë 6 vetë në një dhomë, ndërkohë që godina në mes të qytetit iu jepet njerëzve që nuk kanë asnjë lidhje me Beratin",- u shpreh dje mjeku kirurg Eduard Bejko para mediave.
Në mbështetje të tij, deputeti socialist Erion Braçe, e cilësoi "grabitje dhe hajdutëri në mes të ditës" procesin e privatizimit të maternitetit të Beratit.
Për herë të parë ai publikoi para gazetarëve dokumente autentike, ku, sipas tij, përfshiheshin ministrat Ruli dhe Godo. "Ajo që po ndodh me procedurat për privatizimin e godinës së maternitetit të Beratit, është tërësisht e paligjshme dhe një proces i pastër elektoral.
Materniteti është një objekt publik dhe tërësisht shtetëror në pronësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe nuk mund të privatizohet me kërkesë të pronarëve fantazmë", - tha Braçe dhe më tej komentoi dokumentet e firmosura nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Genc Ruli dhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Sipas këtyre dokumenteve, kanë nisur procedurat për privatizimin e maternitetit të Beratit, në një kohë që pa u mbyllur këto procedura, objekti është marrë në ruajtje nga një kompani private, gjë që, sipas Braçes, përbën një tjetër skandal.
"Si ka mundësi që procedurat sapo kanë filluar dhe objekti i jepet në ruajtje një kompanie, e cila në kundërshtim me të gjitha ligjet ka filluar punimet"?- shtroi pyetjen deputeti i Beratit dhe më pas sqaroi: "Ky objekt po i vidhet qytetit të Beratit dhe po i jepet një kandidati për deputet të Partisë Republikane, me qëllim që ky të ndërtojë një universitet privat për të vjedhur më pas qytetarët e Beratit.
Prapa kësaj vjedhjeje qëndron si gjithmonë Kryeministri Berisha dhe ministrat hajdutë të tij, të cilët pasi vranë 26 vetë në Gërdec kërkojnë të vjedhin dhe pronat shtetërore në Berat", - deklaroi Braçe, duke ftuar Prokurorinë e Beratit që të nisë procedurat hetimore për mënyrën e njohjes së pronarit të truallit dhe për ministrat Ruli e Godo për shkelje të procedurave të privatizimit të objekteve shtetërore.
Pas këtyre prononcimeve, policia bashkiake ka bllokuar punimet në objekt, ndërsa pritet që gra, mjekë dhe qytetarë të Beratit të protestojnë ndaj këtij vendimi.