Shkelje në tendera e ankande, KLSH-ja kallëzim penal për 20 punonjës
Tiranë- Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë kallëzim penal për punonjës dhe ish-punonjës të bashkive të Kavajës, Kuçovës dhe komunave të Levanit në Fier dhe komunës së Gjinarit në Elbasan për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike.
Gjatë një auditi të ushtruar për një periudhë 2- mujore në këto bashki e komuna janë vërejtur parregullsi dhe shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, si në drejtim të administrimit të vlerave materiale e monetare, në kryerjen e pagesave dhe në procedurat e prokurimit publik, me pasojë dëm të madh ekonomik në buxhetin e shtetit.
Gjatë auditimit të kryer në Bashkinë Kavajë, KLSH ka konstatuar parregullsi dhe shkelje të akteve ligjore në vlerën 24,753,713 lekë. ka bërë kallëzim penal në organet e prokurorisë për 6 persona punonjës të Bashkisë Kavajë, në cilësinë e Kryetarit dhe anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave
Gjatë auditimit të kryer në Bashkinë Kuçovë KLSH ka konstatuar mjaft të meta e mangësi në zbatimin e legjislacionit të cilat kanë sjellë për pasojë një dëm ekonomik për buxhetin e Bashkisë në shumën 5,823,874 lekë, nga të cilat 2,803,111 lekë në fushën e prokurimeve dhe zbatimin e kontratave për punë publike, 1,538,918 lekë në fushën e administrimit material e financiar dhe 1,481,845 lekë në fushën e urbanistikës”.
KLSH-ja ka bërë kallëzim penal në organet e prokurorisë për Shpërdorim detyre, për Drejtorin e Ndërmarrjes Komunale dhe Përgjegjësen e Financës, si dhe Drejtorin e Shërbimeve të Transportit të Bashkisë Kuçovë.
Gjatë auditimit në Komunën Gjinar, Qarku Elbasan, KLSH-ja thotë se ka konstatuar shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore në fushën e prokurimit publikPër këtë, KLSH ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan për 4 punonjës të kësaj komune në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe anëtarit të këtij Komisioni, përkatësisht të Shefit të Sektorit të Financës, Përgjegjësit të Sektorit të Urbanistikës dhe Përgjegjësit të Sektorit të Ndihmë Ekonomike, si dhe të Kryetarit të Komunës në cilësinë e Titullarit të Autoritetit kontraktor, pasi me veprimet e tyre i kanë shkaktuar buxhetit të komunës një dëm ekonomik në vlerën 11,839,512 lekë.
“Gjatë auditimit në Komunën Levan, Qarku Fier, KLSH ka konstatuar parregullsi dhe shkelje të akteve ligjore e nënligjore Si pasojë e këtyre shkeljeve, buxhetit të Komunës i është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 8,868,913 lekë. Për shkeljet e mësipërme dhe dëmin ekonomik të shkaktuar, KLSH, ka dërguar kallëzim penal në organet e prokurorisë për 7 persona, përkatësisht ish-Kryetarin e Komunës në cilësinë e Kryetarit të Bordit të Dhënies me Qira të Tokave Bujqësore të Pandara për 22 raste të dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara dhe miratimin e dhënies të 17 leje ndërtimi për objekte biznesi në tokë arë; ish Sekretarin e KRRT të Komunës,; ish-Përgjegjësin e Zyrës së Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Inspektorin e Zyrës së Shërbimeve dhe tre anëtarë të Bordit, lidhur me marrjen e vendimeve për dhënien me qira të tokës bujqësore të pandarë”,-njofton KLSH-ja.