E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkeljet me pronat mbi Ujin e Ftohtë, Hipoteka s’jep vërtetime

Abuzimet me pronat kanë bllokuar nga muaji shkurt të gjitha vërtetimet e pronësisë mbi zonën nga Uji i Ftohtë e deri në Kala të Vlorës. 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Asnjë pronar toke, apartament pallati apo tregtar nuk ka mundur të vazhdojë aktivitetin normal. Ata janë ankuar se mosdhënia e vërtetimeve nga Hipoteka po shkatërron bizneset e tyre, nuk marrin kredi apo të blenë objekte. Përballë këtyre ankesave, burime të Hipotekës pohojnë se bllokimi është kryer pas urdhrit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurisë dhe Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, deri në një afat të dytë. Shkeljet e shumta të konstatuara në këtë zonë, pjesa më e madhe sipërfaqe e ish-Ndërmarrjes Bujqësore në Vlorë, kanë shërbyer për të vendosur pezullimin e urdhrit. Mësohet se ajo është shfrytëzuar për t’u ndarë me ligjin nr. 7501, por një kontroll i ushtruar në ZRP të rrethit kanë nxjerrë abuzime të shumta. Vetë nëpunësit shtetërorë, me dashje ose jo, janë përplasur në ndarjen e pronës, duke bërë që në vitin 2008 për sipërfaqe të njëjta të jetë më shumë se 1 pronar. Kështu, në këtë zonë janë dhënë toka me ligjin nr. 7501, në përdorim, por për të njëjtën, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit ia ka dhënë një personi tjetër. Në to janë konstatuar 2, 3 apo më shumë raste mbivendosjeje, për të njëjtën pronë, qoftë tokë bujqësore apo truall. Të tjera shkelje janë tjetërsimet e pronave, lëvizje kufijsh, zhvendosje të pronës, në disa raste të shoqëruara me mbivendosje. Nga verifikimet ka rezultuar se për të njëjtën pronë apo truall janë lëshuar disa certifikata, shumë false, pasi për përfitimin e tyre janë vënë jo vetëm pretenduesit, por dhe zyrtarë të Regjistrimit të Pronave apo të Hipotekës. Sipas punonjësve të Hipotekës, për këtë zonë nuk do të jepen vërtetime apo certifikata deri në një urdhër të dytë nga autoritetet qendrore. Pronarët e tokave apo biznesmenët që duan të ndërtojnë në këtë zonë, nuk munden të ushtrojnë aktivitetin normal, pavarësisht rregullsisë që ata pretendojnë në dokumentacion. Për ta nuk duhet të bëhet bllokimi i të gjithë zonës, por vetëm i asaj problematike, pasi kështu po mbahet peng i gjithë biznesi. Çdo 3 muaj ata janë të detyruar të ripërtërijnë dokumentet sipas ligjit, pasi në të kundërt humbasin dhe lejen e sheshit të ndërtimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›