Dy emigrantë gjenden të mbytur në Selanik
GREQI – Dy të rinj emigrantë në Greqi u gjetën të pajetë dy ditë më parë në ujërat e një kanali që furnizon liqenin e një hidrocentrali në Selanik. Burime të mediave të huaja bënë të ditur se viktimat ishin mbytur në zonën e Agras të Pellës, 40 km larg qytetit të Selanikut. Ata janë identifikuar si dy banorë të Librazhdit, Gentian Fati, 23 vjeç dhe Adrian Vreto, 25 vjeç, trupat e të cilëve, dje kanë kaluar pikën kufitare të Kapshticës për t’u varrosur në vendlindje. Nga hetimet e kryera rezultonte se dy djemve u janë gjetur dy çanta me rroba, çka tregonte se ata ishin kalimtarë në atë zonë dhe mendohet se po shkonin drejt qytetit të Edesës. Nuk dihet se për çfarë arsyesh ata kanë hyrë në ambientet e ndërmarrjes elektrike dhe më pas kanë përfunduar në ujërat e thella të kanalit, të cilat arrijnë në 10 metra. Dyshohet se një prej tyre është hedhur për t’u freskuar në ujë, por për shkak të thellësisë ka nisur të kërkojë ndihmë. Ndërsa i dyti mendohet se ka dashur të shpëtojë shokun, duke u hedhur dhe ai në ujë, por pa mundur të dalë. Roja i objektit ka pikasur trupat e pajetë të tyre, duke lajmëruar policinë lokale. Për ngjarjen e rëndë kanë nisur hetimet, por raporti mjeko-ligjor nuk ka konkluduar në shenja dhune, duke nxjerrë përfundimin se ngjarja ka qenë aksidentale.