E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkelma e nerva në finale, Interi merr Kupën e Italisë

ROME-Interi është bërë fitues i Kupës së Italisë, duke mundur 1-0 në finalen e mbrëmshme Romën e Klaudio Ranierit. Takimi i "Olimpikos" ka dhuruar 90 minuta të mërzitshme, me shumë faulla, ndërhyrje të rënda dhe vonesa loje. Në fund, skuadra e Zhoze Murinjos ia ka dalë mbanë të fitojë trofeun e parë për këtë sezon, duke mposhtur skuadrën me të cilën po rivalizon në kampionat. Në fakt, ndeshja nuk ka patur shumë momente të bukura, pasi nervozizmi ka shoqëruar të 22 futbollistët që kanë zbritur në fushën e lojës. Po ashtu, siguria ishte maksimale, me 1500 policë të pranishëm në "Olimpiko". Sa i përket skuadrave, në mungesë të Uesli Shnajder, Murinjo riktheu titullar Mario Balotelin, që sërish ishte problematik në fushën e lojës. Sidomos në fund, ai arriti të nervozonte edhe një lojtar mjaft të qetë si Françesko Toti, i cili e goditi me shkelm në kavilje, duke marrë kartonin e kuq nga arbitri Nikola Ricoli. Gjithsesi, fitorja e mbrëmshme i dhuroi Interit trofeun e parë sezonal, ndërkohë që zikaltërit janë në luftë edhe për titullin kampion dhe për Champions League. Në krahun tjetër, Romës i duhet të shpresojë që zikaltërit të bëjnë ndonjë hap fals në kampionat, ndonëse një gjë e tillë duket e vështirë duke parë se rivalët e Interit në dy ndeshjet e fundit janë Kievo e Siena.
Ndeshja
Finalja e mbrëmshme nisi me ritme të ngadalta. Të dyja skuadrat i janë druajtur jo pak njëra-tjetrës, duke mos tentuar shumë drejt portës kundërshtare. Roma ka qenë deri diku më e rrezikshme, megjithatë Interi ka kontrolluar gjithçka në prapavijë. Momenti kyç i ndeshjes ishte minuta e 40-të, kur Milito bën gjithçka mirë dhe arrin të mposhtë Zhulio Serxhon. Një gol që rezultoi vendimtar për fatet e finales. Pas këtij momenti, Murinjo e ka kthyer ekipin e tij në mbrojtje, duke përdorur pak a shumë të njëjtën skemë si në Barcelonë, ndonëse kundërshtari ishte shumë më pak i rrezikshëm. Në pjesën e dytë Ranieri hodhi në fushë kapitenin Toti, ndërsa më pas edhe Zheremi Menez, duke nxjerrë Luka Tonin. Rasti më i mirë do të vinte pas çerek ore lojë, kur pas një goditje të Totit, topi i kthyer nga Zhulio Sezar i shkon Huan, por braziliani me portën bosh nuk realizon. Më pas Interi u kundërpërgjigj me Balotelin, që pasi u rrotullua në zonë, goditi bukur, por priti Zhulio Serxho. Vuçiniç ka një tjetër rast të mirë në fundin e takimit, por i vetëm me portierin, godet jashtë. Një tjetër shans ishte gjuajtja e Rises fluturimthi, por edhe këtë herë portieri i Interit ishte në pozicion. Ndeshja u mbyll me kartonin e kuq të Françesko Totit, të cilin e tradhtojnë nervat dhe godet nga pas Mario Balotelin. Për arbitrin nuk ka dyshime: karton i kuq direkt. Këtu praktikisht ka përfunduar gjithçka, pasi Interi në minutat shtesë e kontrolloi topin pa probleme, duke i dhënë fund një 90 minutëshi tejet të mërzitshëm.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›