E Diel, 1 Nëntor 2026

"Peizazhi" i Danish Jukniut shitet në “Art Shopping” per 1550 euro

TIRANE-Vepra e piktorit Dan ish Jukniu "Peizazh", është shitur në ankandin e emisionit të Abaz Hados "Art Shopping" në NEWS 24. Piktura, vlera e së cilës shkoi 1550 euro, është blerë nga Arjana Jukniu, që është mbesa e tij. Ajo ka këmbëngulur për një muaj rresht që ta marrë "Peizazhin" duke qenë se nuk kishet asnjë vepër të tij. Sipas drejtuesit të "Art Shopping" në NEWS 24, Abaz Hado, vepra paraqet një peizazh të hershëm të piktorit Jukniu, e tregon një pamje të periferisë së Shkodrës. "është trajtuar me ngjyra të harmonizuara, kontraste të përmbajtura, por harmonike. Tonaliteti është i ekuilibruar, çka e ka bërë këtë artist që në fillimet e veta të tregojë se është me ndjesi koloristike dhe ka një sistem estetik të rafinuar dhe mjaft elegant",- tha dje Hado. Vepra nuk mban datë, por i takon periudhës së parë të këtij artisti dhe ka përmasat 38 me 42cm. "Art Shopping" vazhdon të tërheqë në konkurrim mjaft persona që garojnë për të fituar vepra që kanë vlera. Vetëm pak kohë më parë, në këtë emision është shitur edhe një vepër e Ibrahim Kodrës, por më parë ka pasur edhe shitje të tjera. Lindur në qytetin e Shkodrës në qershor të vitit 1934, Danish Jukni, falë edhe kulturës së mirëfilltë që gëzonte familja e tij tregtare në qytetin verior, që në fëmijëri do të spikaste për talentin e tij në fushën e pikturës. Talentin e tij do ta zbulonte fillimisht piktori i mirënjohur, Zef Kolombi, dhe mësimet e para të pikturës i mori pikërisht prej tij. Prindërit e tij, duke dalluar talentin e të birit vendosnin që Danishi të shkollohej për pikturë pranë Liceut Artistik "Jordan Misja" në Tiranë, e fill pas tij në Akademinë e Arteve të Bukura në Krakov të Polonisë. Pas kthimit në Shqipëri, Danishi do të vijonte punën e tij në Tiranë e më pas në Shkodër në vitet e mëpasshme, duke treguar nivelin e një piktori bashkëkohor. Bashkudhëtare me të që prej viteve të kthimit nga Polonia do të ishte edhe vajza polake Danuta, bashkëshortja
e tij.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›