E Shtunë, 31 Tetor 2026

Psikologë dhe punonjës socialë për të plagosurit e familjarët e viktimave



Zëvendësministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, bëri dje me dije bilancin e viktimave, si dhe menaxhimin e situatës nga bluzat e bardha. Spahia bëri me dije edhe masat e marra për tragjedinë.
Sa prej viktimave ishin fëmijë?
Aktualisht bëhet fjalë, nga tri të vdekurit në Spitalin Ushtarak, për një vajzë adoleshente. Po presim konfirmim për 11 viktimat në spitalin e Pukës. Së shpejti do të informohemi rreth moshës së viktimave, pasi atje ka shkuar mjeku ligjor.
A keni pasur mjaftueshëm rezerva gjaku?
Deri tani nuk kemi pasur asnjë problem me menaxhimin dhe organizimin. Përgëzoj edhe stafin mjekësor për nivelin e lartë të ofrimit të shërbimit dhe gatishmërinë e tyre.
Prisni pacientë të tjerë?
Jo aktualisht, jo më. Nuk ka më pacientë në mbërritje. Përveç pacientëve në Spitalin Ushtarak dhe 2 të tjerëve në spitalin e Shkodrës, nuk ka më të tjerë.
Përveç dy pacientëve që janë duke u operuar, si është gjendja e pacientëve të tjerë?
Katër pacientë janë në gjende më të rëndë se të tjerët. Duhet të presim pak kohë për të qenë të siguritë që të kenë dalë jashtë rrezikut për jetën. Ne po presim. Ajo që dua të theksoj është se janë në gatishmëri të gjithë strukturat e shëndetësisë. Kemi në gatishmëri qendrën Universitare Spitalore “Nënë Tereza”, Sanatoriumin, si dhe spitalet e Shkodrës, Pukës dhe Rrëshenit.
A jeni përgatitur me psikiatër për viktimat?
Po sigurisht që po. Nuk e kemi lënë pas dore. Ne do ua sigurojmë këtë shërbim edhe familjarëve dhe pacientëve. Disa prej tyre ishin në moshë të vogël dhe do të kenë shërbimin me punonjës social dhe psikiatër.
Zoti zëvendësministër, pse qendrën spitalore “Nënë Tereza” e kaluat në gatishmëri ndërsa pacientët i sollët vetëm në Spitalin Ushtarak?
Kuptohet që në fazën e parë të marrjes së lajmit mbi tragjedinë, nuk e dinim numrin e saktë të pacientëve që do të donin shërbim të specializuar. është normale si masë që merret në raste të tilla, qoftë për të pasur vende të lira në reanimacione. Për momentin nuk kemi pasur nevojë për ta shfrytëzuar, përveç një rasti që kishte nevojë polmonare, që do ta transportojmë pas operacionit në sanatorium.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›