Autobusi bie në lumë, 14 të vdekur
Autobusi i linjës Pukë -Durrës-Pukë, me 26 persona në kabinë, e kishte kaluar pjesën e vështirë të rrugës dje, kur në një aks pa kthesa të forta ka humbur drejtimin dhe ka rënë në greminë 30 metra.
Ngjarja ndodhi në ora 17:00, në afërsi të fshatit Dom, në zonën e Gjegjanit, e cila përshkruhet nga rruga automobilistike që gjarpëron mbi lumin Fan, ku ra dje autobusi pas aksidentit. Autobusi me targa të Pukës, PU 13 30 A, ka qenë duke ecur në faqen e majtë të zonës kodrinore, pasi kishte kaluar kthesat e forta dhe po lëvizte në një aks rrugor pa shumë vështirësi në qarkullim. Pasi ka humbur drejtimin dhe ka dalë nga rruga në të majtë, autobusi sipas dëshmitarëve është rrokullisur një herë dhe më pas ka rënë pikiatë në humnerën prej 30 metrash, duke ndaluar në bregun e lumit Fan, i dëmtuar tërësisht. Nga të dhënat e policisë, mbrëmë rreth mesnatës, bilanci i ngjarjes tragjike ishte 14 persona të vdekur, përfshi dhe shoferin Zef Gjergji, dhe 12 të plagosur, nga të cilët 10 jashtë rrezikut dhe dy të tjerë në gjendje më të rëndë nën kontrollin e mjekëve.
Dëshmitarët
Banorë të zonës Fushë-Plori në fshatin Gojan i Vogël, ekzaktësisht aty ku ndodhi aksidenti, kanë pohuar dje për gazetën “Panorama” se mosmanovrimi i drejtuesit të mjetit në kthesën e lehtë që kishte përpara ka qenë fatal. Ded Lleshi, i cili banon në një shtëpi në anë të rrugës ku ndodhi aksidenti, ka pohuar se autobusi ra në greminë kur po kalonte një kthesë të lehtë, ku karexhata nuk ka as mburoja mbrojtëse, pasi nuk konsiderohet e rrezikshme. Në zonën ku mjeti ka dalë nga rruga, duhej që shoferi të drejtonte autobusin lehtë djathtas, por kjo nuk ka ndodhur. Transportuesi i 26 personave që ndodheshin në autobus, ka ecur drejt kur duhej të shkonte djathtas, dhe për pasoja ka dalë nga rruga duke u drejtuar për në humnerë, fillimisht me pjesën e përparme të tij. Pak metra larg rrugës, nga dritaret kanë nisur të dalin pasagjerët e parë. Xhamat e thyera kanë lënë rrugës disa pasagjerë të plagosur dhe të vdekur, derisa autobusi ka ndaluar në zhavorrin e bregut të lumit, i rënë në krahun e djathtë. Në këtë kohë, banorë të zonës megjithëse kishin nisur të binin pikat e para të një rrebeshi shiu, kanë parë autobusin të rrëzohej dhe për rreth dhjetë minuta janë afruar te mjeti e më pas kanë telefonuar policinë.
Rruga e fundit
Rreth orës 13:30 të ditës së djeshme, pasi kishte mbërritur më herët nga Puka, Zef Gjergji ka mbushur mjetin me pasagjerë dhe është nisur në kthim. Në autobus kanë hipur pasagjerë nga fshatrat Shkozë, Gjegjan, Dom, Kimzë, Kalivare, etj. Gjatë rrugës, drejtuesi i mjetit ka marrë në autobus edhe persona të tjerë, banues në zonë. Dëshmitarët thonë se të paktën 15 veta kanë zbritur nga mjeti dhe janë larguar në banesat e tyre para se autobusi të mbërrinte në zonën ku ndodhi aksidenti. Drejtuesi i mjetit, Zef Gjergji udhëtonte çdo ditë në linjën Pukë-Rrëshen-Durrës dhe anasjelltas duke kryer transport pasagjerësh. Ai nisej në të gdhirë, rreth orës 06:00 në qytetin e Pukës dhe kthehej rreth orës 18:00. Për shkak të këtyre orareve, si dhe nga lëvizja në 300 kilometra çdo ditë, drejtuesi i autobusit kishte lodhje të madhe. Nga verifikimi në vendin e ngjarjes, ka rezultuar se pjesa e rrugës ku ndodhi aksidenti nuk kishte sinjalistikë dhe as trase mbrojtëse anësore.