Në kamionçinën time ndamë të vdekurit e të gjallët
Zhurma e fuqishme që vinte nga rruga mbi lumin Fan ka çuar në këmbë banorin më të afërt të vendit të tragjedisë.
Zef Kola ka qenë i pari banor i Gjegjanit, i cili ka parë me sy atë që pak orë më vonë do të shënonte plot 14 të vdekur. Alarmi i vënë prej tij ka shpëtuar udhëtarët e tjerë, pasi derisa ka mbërritur policia e ambulancat, Kola me bashkëfshatarët e tij ka mundur të nxjerrë nga autobusi të mbijetuarit. Ai tregon për gazetën vështirësitë që hasi bashkë me vullnetarët e tjerë e tronditjen, ndërsa mësonin se viktimat ishin të shumta.
Si e mësuat ngjarjen dhe kur ndodhi ajo saktësisht?
Shtëpia ime ndodhet rreth 150 metër larg vendit të ngjarjes. Ishte ora 5 pa pak, kur dëgjova një zhurmë të madhe dhe jam ngritur me shpejtësi. Kisha hyrë në shtëpi se një shi i imët kishte nisur të binte. Dola nga shtëpia dhe pashë nga erdhi zhurma e madhe. Jam befasuar kur kam parë një autobus të përmbysur në breg të lumit Fan i Madh.
Si vepruat në fillim?
Mora celularin dhe njoftova të gjithë njerëzit e fshatit që u kisha numrin e telefonit. U nisa për në vendin e ngjarjes pa ardhur ende bashkëfshatarët e mi. Jam tmerruar me atë çka më shihnin sytë në autobus dhe përreth tij. Në pak minuta janë mbledhur në vendin e ngjarjes dhjetëra banorë, të moshave të ndryshme, kryesisht djem të rinj, të cilët arritën të zbresin në lumë më shpejt nga të tjerët.
Si e përjetuat situatën?
Nuk më kishte ndodhur në jetën time të shihja një ngjarje kaq tragjike. Njerëz të vdekur në autobus dhe afër tij. Të tjerë që rënkonin në momentet e fundit të jetës. Pas pak erdhën burra e gra që nuk i ndalnin lotët.
Cila ishte ndihma juaj?
Fillimisht kam ndezur kamionçinën time dhe përmes një rruge shumë të vështirë kam zbritur në lumë, te mjeti i përmbysur. Banorët e grumbulluar pranë autobusit, me mjaft mundim nxirrnin pasagjerët përmes llamarinave dhe sediljeve të dëmtuara rëndë. Nuk kuptonim fillimisht cilët ishin të gjallë apo të vdekur. Me shumë përpjekje i kemi vendosur në karrocerinë e mjetit tim dhe i kemi nxjerrë në xhadenë kryesore.
Po më tej, si vepruat?
Aty kemi ndarë të vdekurit nga ata që jepnin shenja jete. Të vdekurit i kemi lënë në karroceri, ndërsa të gjallët i nisëm me mjete të vogla në drejtim të spitalit të Pukës. Të vdekurit që konstatuam fillimisht ishin 8 persona.
A i njihnit viktimat apo të plagosurit?
Nuk kishim kohë për t’u menduar kaq gjatë, pasi ishin të gjithë të gjakosur, disa kërkonin ndihmë, të tjerët kishin heshtur përgjithmonë. Pas pak minutash erdhën helikopterët, tre u ndalën në Gjegjan dhe të tjerë fluturuan drejt Pukës. Qëndruam deri në fund, se nuk e dinim se sa vetë mund të ishin në autobus.