Shkëlqim Muça kërkon stolin e Dinamos edhe për një sezon
Dinamo po marshon bindshëm drejt titullit kampion. Blutë vazhdojnë të shfaqen si dominuesit absolutë të Kategorisë Superiore, ndërsa diferenca nga Besa e vendit të dytë tashmë është 15 pikë larg. Me fitoren e arritur të hënën kundër rivalëve direktë, lufta për titullin duket se është mbyllur përpara kohe. Pas “hipotekimit” të trofeut më të rëndësishëm në vend dhe shanseve të mira për të fituar edhe në Kupën e Shqipërisë, trajneri Shkëlqim Muça ka shprehur dëshirën që të qëndrojë te Dinamo edhe për sezonin e ardhshëm. “Natyrisht që dëshira ime është të vazhdoj punën edhe pas këtij sezoni”, tha tekniku. Një kërkesë e natyrshme e njeriut që ka rezultuar si “çelësi” i suksesit për klubin kryeqytetas. Vetëm në harkun e 13 muajve, ai ka arritur të ndërtojë një ekip që ka diferenca të jashtëzakonshme me të gjithë kundërshtarët. Muça mori drejtimin e skuadrës në dhjetëditëshin e parë të janarit 2009, duke zëvendësuar kroatin Daliç dhe gjatë prezantimit premtoi se Dinamon e tij të gjithë do të kishin mundësi ta shihnin në edicionin 2009-2010. Drejtuesi i stolit e mbajti fjalën dhe tashmë blutë po ecin të sigurt drejt titullit numër 18 kampion të Shqipërisë. Për më tepër, me aftësitë e tij drejtuese, ku natyrisht që spikat menaxhimi i mirë i skuadrës, ish-shefi i klubit te Tirana ka “shkatërruar” formulën e FSHF-së për elitën e futbollit shqiptar. Prej sezonit 2006-‘07, kur Superiorja u kthye në një kampionat me 12 skuadra që ndeshen në tri faza, kjo është hera e parë që kampionati “vritet” ende pa filluar faza finale. Ndërkohë, në dy edicionet e mëparshme, kjo strukturë kishte bërë që titulli kampion të përcaktohej vetëm në javën e fundit.
Kërkesa e Shkëlqim Muçës për të rinovuar kontratën me Dinamon, e cila skadon në fund të këtij sezoni, duket e menduar mirë. Ajo është bërë pasi entuziazmi për fitoren me Besën ishte zbehur, ndërsa trajneri e kishte parapërgatitur terrenin edhe në deklaratat pas sfidës së fituar me kolegun e tij verdhezi, Shpëtim Duro. Në fakt, të hënën Muça kishte deklaruar: “Për sa i përket ndryshimeve në fushën e lojës, vendosa që të ndërroj pozicionet e disa elementëve. Nuk luajnë vetëm futbollistët në fushë, luajmë edhe ne si trajnerë”. Një mesazh i qartë për drejtuesit, mbi të gjithë për presidentin Besnik Sulaj…
#