E Shtunë, 31 Tetor 2026

Progresi ynë për vizat, thelbësor

Berisha

Kryeministri Sali Berisha garantoi dje se komisionerët e dërguar pak ditë më parë nga Komisioni Europian për të parë nga afër progresin e Shqipërisë me liberalizimin e vizave kanë vërejtur punën e bërë në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit. Në mbledhjen e përjavshme të komitetit ndërministror për vizat, Berisha theksoi se progresi është i dukshëm dhe thelbësor. “është e qartë se ka një progres thelbësor nga të gjitha institucionet për përmbushjen e detyrimeve dhe për këtë një përgëzim meritojnë drejtuesit dhe punonjësit, të cilët e kanë marrë këtë proces me seriozitetin më maksimal”, theksoi Kryeministri në mbledhjen e drejtuar prej tij. Sipas Berishës, një arritje nga Shqipëria është edhe miratimi i ligjit kundër diskriminimit, i cili i mbron pakicat e krijuara nga shkaqe të ndryshme linçimi. Berisha e cilësoi këtë ligj si sukses edhe për faktin se ai u miratua duke marrë aprovimin e të gjitha komuniteteve fetare në vend. Kreu i qeverisë theksoi se tashmë një vëmendje e veçantë po i kushtohej edhe integrimit të plotë të komunitetit rom dhe egjiptian. Sipas Berishës, po merreshin masa për strehimin e tyre të plotë, arsimimin dhe procesin e regjistrimit. Shqipëria pret të përfitojë liberalizimin e vizave brenda gjashtë muajve të parë të këtij viti.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›