E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot Kosovë-Shqipëria B për festën e Pavarësisë

Vokrri: Një sfidë e veçantë, festë për të gjithë shqiptarët

Data 17 Shkurt 2008 do të mbetet si një nga ditët më të shënuara për të gjithë shqiptarët kudo që janë, pasi pikërisht atë ditë u shënua ngjarja më e madhe në historinë e tyre në shekujt e fundit: Kosova fitoi pavarësinë. Prandaj dita e sotme është festë për të gjithë, por mbi të gjitha, për vetë kosovarët. Dhe një ndër evenimentet jo më pak të rëndësishme të kësaj feste do të jetë miqësorja mes përfaqësues së Kosovës dhe Shqipërisë “B” (përzgjedhjes me futbollistët më të mirë të Kategorisë Superiore), të drejtuar nga trajneri Josip Kuzhe. Përfaqësuesja kosovare do të drejtohet nga trajneri Albert Bunjaku. Të dy trajnerët kanë grumbulluar më të mirët në dispozicion. Kuzhe ka thirrur 18 lojtarët më të mirë sipas tij nga Kategoria Superiore, ku përjashtimin e vetëm e përbën 18-vjeçari Hamel Hoxha, i cili aktivizohet tek Iraklis Saloniki në Greqi. Tekniku kroat e zbuloi atë gjatë zborit të bërë kohët e fundit në vendin fqinj. Edhe pse nuk do të flitet për një ndeshje të mirëfilltë, në fushë pritet të mos mungojë grinta edhe për shkak se lojtarët do të synojnë të fitojnë një vend në Kombëtaren A. Takimi do të luhet sot, në orën 14:00, në stadiumin e Prishtinës. Kreu i FFK-së, Fadil Vokrri, bëri të ditur se janë bërë përgatitjet e fundit për zhvillimin e takimit. Ai u ka bërë thirrje të gjithë tifozëve që ta bëjnë sa më madhështor këtë takim, për të cilin janë shpërndarë 20 mijë bileta dhe pritet pjesëmarrje e gjerë në shkallët e stadiumit të Prishtinës. “Ne si Federatë, prej kohësh e kemi pritur një ndeshje të tillë, e cila ka veçantinë e vet, pasi organizohet për dyvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Do të jetë festë e madhe për gjithë shqiptarët”, ka thënë kreu u FFK-së, Fadil Vokrri. është ndeshje humanitare, ku të ardhurat do të shkojnë për familjet e prekura nga vërshimet në Shkodër, andaj besoj se të gjithë se bashku do ta bëjmë festën e pavarësisë edhe më madhështore”, tha Vokrri. Ndërsa Visar Miftari, drejtor i kompanisë “Albanian Group”, e cila ka marrë përsipër organizimin e ndeshjes, u ka bërë thirrje tifozëve që në mënyrë masive të vijnë të mërkurën në stadiumin e Prishtinës. Sipas tij, biletat janë hedhur në treg në të gjitha qytetet e Kosovës. çmimi i një bilete kushton 2 euro, ndërsa në treg janë hedhur 20 mijë të tilla. Po ashtu është mësuar se delegacioni i Shqipërisë, i cili do të zbarkojë sot në Prishtinë, përbëhet nga 61 persona. Pos drejtuesve të FSHF-së, presidentit Armand Duka, si dhe dy ministrave të kabinetit shqiptar, ai i Mjedisit, Fatmir Mediu, dhe i Sportit, Ferdinand Xhaferi, do të jenë edhe një numër i madh gazetarësh. Delegacioni shqiptar, së bashku me futbollistët kuqezinj, do të niset nga Tirana në fluturim për në Prishtinë, ku do të mbërrijë në orën 10:00. Ky është viti i dytë radhazi ku festa e Pavarësisë kremtohet me një miqësore, por me ndryshimin e vetëm, në 2009 u ndeshën klubet Prishtina-Dinamo 1-1.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›