E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet presioni mbi çmimin e naftës

Treg

Fillimi i rimëkëmbjes ekonomike botërore ka rikthyer vëmendjen e investitorëve te çmimi i naftës, bën të ditur “The New York Times”. Kërkesa e Kinës për naftë po rritet edhe më shpejt se sa kërkesa e pjesës tjetër të botës, ndërkohë që tensioni gjeopolitik në Gjirin Persik është shtuar. Konsumi botëror i naftës është ulur për dy vite radhazi më 2008 dhe 2009 si pasojë e krizës, gjë që ka ndodhur për herë të parë që nga vitet ’80. Megjithatë, sipas ekspertëve, bota duket më e përgatitur sot sesa qe në vitin 2006, kur filloi kriza e çmimeve të larta të naftës. Falë uljes së konsumit të energjisë, prodhuesit e kartelit OPEC kanë aktualisht kapacitete të lira prej 6 milionë fuçish në ditë, shifër kjo e barabartë me 7 për qind të kërkesës aktuale. Këto kapacitete mund të vihen në punë në çdo kohë. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikon se konsumi i naftës këtë vit do të rritet me 1.4 milionë fuçi në ditë duke arritur në 86.3 milionë. Në vitin 2009, konsumi qe ulur me 1.3 milionë fuçi. Rritja e konsumit nuk pritet të vijë nga vendet e zhvilluara, por nga vendet në zhvillim.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›