Në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA do të regjistrohen kulme të reja e pozitive vitet në vijim
Intervistë e Kryeministrit Sali Berisha dhënë gazetës “Illyria”, një botim në gjuhën shqipe, i diasporës tonë në SHBA
“Ligji i Lustracionit synon një gjë; të ndahemi nga këto krime. Të tjerët po e bëjnë me procese gjyqësore. Ne nuk po e bëjmë me procese gjyqësore. Ne themi, dilni menjanë, sepse këta dolën menjanë njëherë në 95-n, por për fat të keq, kur u kthyen socialistët në pushtet, aprovuan pikërisht nenet që nuk duhej t'i preknin. Kur unë u bëra Kryeministër, gjeta në Shërbimin Sekret Shqiptar tre ish-drejtorë të Sigurimit të Shtetit e këshilltarë personalë të shtetit të Enver Hoxhës”
TIRANE - “Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Amerikës, të cilat kanë njohur zhvillimet më kulmore gjatë dy viteve të fundit, presin të kenë zhvillime të tjera shumë të rëndësishme kulmore gjatë viteve që do të vijnë”, është shprehur Kryeministri Sali Berisha, në një intervistë ekskluzive të botuesit të gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, që publikohet në Nju Jork.
Kryeministri Berisha e dha këtë intervistë gjatë vizitës tre ditore në Washington, ku ai, i shoqëruar nga bashkëshortja Liri Berisha, mori pjesë në ceremoninë e Mëngjesit të Lutjeve, një takim ndërkombëtarë, me pjesëmarrjen e personaliteteve të larta të botës.
Në intervistën për gazetën “Illyria”, Kryeministri Berisha flet për marrëdhëniet shqiptaro- amerikane, punën e qeverisë për luftën kundër korrupsionit, Për luftën kundër krimit, ligjin e dosjeve, rolin e diasporës shqiptare në ndihmë të Shqipërisë dhe Kosovës etj.
"Ligji i dosjeve, i miratuar së fundi me shumicë votash nga Kuvendi i Shqipërisë e ndanë Shqipërinë nga e shkuara", është shprehur ndër të tjera Kryeministri Sali Berisha në intervistën ekskluzive të botuesit të gazetës “Illyria”.
Kryeministri Sali Berisha, vlerësoi edhe “rolin themelor dhe të pazëvendësueshëm të diasporës shqiptare të Amerikës për të ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët që jetojnë në rajonet e tjera të Ballkanit”.
Gjatë vizitës në SHBA, Kryeministri Berisha zhvilloi takime të shumta me senatorë e kongresistë, Zëvendëspresidentin amerikan Joseph Biden, sekretaren e Shtetit Hillary Clinton etj.
Zoti Kryeministër, na thoni në fillim për qëllimin e vizitës suaj në Amerikë dhe takimet e para që keni pasur me zyrtarë amerikanë?
Këtu kam ardhur me ftesë të bashkëkryetarëve të Komitetit të Kongresit për Mëngjesin e 57 Kombëtar të Lutjeve. Kam qenë dhe herë të tjera para disa vitesh në këtë aktivitet. Komiteti përbëhet nga 36 kongresistë e senatorë. Pjesëmarrja në këtë aktivitet është një moment i veçantë, pasi këtu vijnë përfaqësues të politikës, parlamenteve, botës akademike, botës shpirtërore të 163 vendeve. Por, krahas qëllimit për të marrë pjesë në këtë takim, këtu po takoj miq të mi të shkëlqyer e të Shqipërisë, miq të rinj, jam takime me administratën, me zyrtarë të lartë të administratës, me sekretaren e Shtetit Hillary Clinton dhe përfaqësues të tjerë. Por takoj dhe miq të vjetër që e kanë ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë këtyre viteve, kongresistë të rëndësishëm.
Dhe marrëdhëniet me Amerikën vazhdojnë të jenë të shkëlqyeshme?
Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Amerikës, të cilat kanë njohur zhvillimet më kulmore gjatë dy viteve të fundit, presin të kenë zhvillime të tjera shumë të rëndësishme kulmore gjatë viteve që do të vijnë. Shqiptarët kanë një proamerikanizëm të pakufishëm dhe mendoj se kanë arsye shumë të mëdha për këtë proamerikanizëm, pasi që në momentet më kritike të kombit shqiptar, Amerika ka qenë shpëtimtare e tij, me mbështetjen e qeverisë së Amerikës, Kongresit dhe presidentit që nga presidenti Wilson e deri te George W. Bush që u largua nga Shtëpia e Bardhë pasi shndërroi në realitet dy premtimet e tij historike në Tiranë, pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërinë në NATO. Për shqiptarët, presidenti Clinton mbetet heroi i tyre kombëtar, udhëhoqi luftën për çlirimin e Kosovës. Pra, një komb i vogël në universin e kombeve të këtij planeti, por një komb që krahas fateve të këqija, ka pasur edhe fatin e madh që në momentet kyçe të historisë së tij të gëzojë mbështetjen e këtij kombi e vendi të madh.
Ka një bllokim të Sllovenisë për ratifikimin e anëtarësimit të Shqipërisë e Kroacisë në NATO… Shihni ndonjë problem në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO?
Ky lloj, nuk po e quaj bllokim nga parlamenti i Sllovenisë, nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë. Unë ju garantoj për këtë. Nuk ka asnjë qëllim tjetër veçse qëllimit thellësisht pozitiv të qeverisë sllovene ndaj anëtarësimit të Shqipërisë. Ka një diskutim mbi kufijtë ose diçka të tillë me Kroacinë, por duket që të gjitha shanset janë që edhe kjo të kapërcehet.
Cilat janë sukseset dhe të metat e punës së qeverisë suaj?
Çfarë mund t'u njoftoj unë. Njëherë, qeveria erdhi në pushtet në një kohë kur për fatin më të keq, krimi i organizuar shqiptar ishte shtuar në një faktor madhor rreziku, jo vetëm shqiptar por dhe më gjerë, ishte bërë famëkeq në të gjithë Evropën dhe nxinte imazhin e Shqipërisë më shumë se çdo gjë tjetër. Ne i shpallëm luftë me zero tolerancë krimit të organizuar. Kjo luftë bëri që në një hark kohor prej 18 muajsh, agjencitë e zbatimit të ligjit të Shqipërisë të çmontojnë mbi 204 grupe e organizata kriminale shqiptare, të vendosin para ligjit mbi një mijë bosë e anëtarë të këtyre organizatave, kudo që ata janë ndodhur në Shqipëri, në Greqi, në Suedi, Gjermani, Francë, SHBA e kudo. Kjo ka bërë që Shqipëria të ketë aktualisht tregues të kriminalitetit qartësisht më të ulët se mesatarja e këtyre treguesve nëpër vendet e Bashkimit Evropian. Kjo ka bërë që Shqipëria vitin e kaluar të ketë 2 milionë turistë, kundrejt vetëm 300 mijë që ka pasur katër vite më parë dhe të mos ketë as incidentin më të vogël. Pra, Shqipëria sot është vend i sigurt. Së dyti, Shqipëria përballej me korrupsionin sistematik. Dhe kjo është e vërtetë që dokumentohej nga të gjitha dokumentet. Shqipëria renditej në një nga 24 vendet më të korruptuara të globit. Kjo qeveri, u angazhua në një luftë të vendosur kundër korrupsionit. Rezultatet e saj janë të certifikuara. Shqipëria la në këtë luftë prapa 95 vende të botës. Së treti, kjo qeveri nga ata që vlerësojnë luftën kundër korrupsionit, u shpall kampione për reformat e saj në luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni nuk është një fenomen që mund të çrrënjoset, por ai është një fenomen që mund të luftohet dhe duhet të luftohet. Janë me dhjetëra e dhjetëra zyrtarë të të gjitha kategorive që përballen me ligjin për shkak të korrupsionit. Pra, ka një luftë të vendosur por, në qoftë se do ta vlerësonim më tutje punën e luftës kundër korrupsionit, unë mund të them se këto rezultate, shpenzimet operative të administratës sime, janë ulur nga 3 për qind në 2 për qind të prodhimit të brendshëm. Të ardhurat nga taksat dhe tatimet janë rritur në tre vjet me 3.2 miliardë dollarë. Kursimet nga prokurimet kalojnë qartësisht mbi gjysmë miliardë euro. Në tërësi, rreth 4 miliardë dollarë kanë qenë disponsibël për shqiptarët gjatë kësaj periudhe dhe unë ia atribuoj këto, para së gjithash dhe mbi të gjitha, luftës kundër korrupsionit. Nuk është se nuk ka korrupsion, sërish ka korrupsion, sërish ka varfëri, por të gjitha janë në pakësim. Shqipëria ishte vendi ku investitorët e huaj largoheshin masivisht.
Qeveria juaj është fokusuar në ndërtimin e rrugëve. Ç’është bërë deri tani dhe ç’synohet për të ardhmen?
Kjo qeveri mori në dorë një vend që kishte gjithsej 2 mijë e 200 kilometra rrugë të asfaltuara nga 18 mijë që është inventari i rrugëve në Shqipëri. Gjatë këtyre 4 viteve, e tërë infrastruktura rrugore është në rindërtim. Janë asfaltuar mijëra kilometra në rrugët rurale të vendit. Po ndërtohen rreth 800 km në akset kombëtare. Faktikisht, me këtë program për 3-4 vjet, Shqipëria do të jetë një vend me një sistem rrugor tërësisht të ri, ndër më modernit.
Po në sektorët e tjerë, arsim, shëndetësi, ç’objektiva ka arritur qeveria?
Është bërë një ndryshim thelbësor në sistemin e arsimit. Të marrim një element. Ky sistem po shpartallohej për shkak të rrogave të ulëta të arsimtarëve. Ne premtuam dyfishin e rrogave. Duke filluar nga data 1 Maj, çdo mësues në Shqipëri merr dy herë më shumë se 4 vite më parë. Duke filluar nga kjo datë, çdo infermiere merr dy herë më shumë rrogë se 4 vite më parë, kështu dhe mjekët marrin dy herë më shumë. Pra, ne investuam në kapitalin njerëzor.
Cila është Shqipëria sot në raport me investimet e huaja?
Vetëm në muajin dhjetor dhe dhjetëditëshin e parë të Janarit, ne kemi firmosur 3.5 miliardë euro kontrata koncesionesh, në energji dhe fusha të tjera. Pra, Shqipëria realisht është një vend shumë tërheqës për investitorët e huaj. Ajo është vendi i një mijë e njëqind problemeve dhe është jashtë çdo lloj mundësie që ato të zgjidhen në një kohë të shkurtër, por një gjë është e sigurt se, vendi ynë ka ndryshuar këto 4 vite më shpejt se kurrë dhe është duke ndryshuar pozitivisht.
Ligji për hapjen e dosjeve është pritur me rezerva nga BE, OSBE dhe SHBA dhe kërkohet rishikimi i tij. Pse vijnë këto mospajtime nga bashkësia ndërkombëtare për një ligj që i është dashur shumë më herët Shqipërisë?
Problemi ka të bëjë jo më me një fenomen, por me një realitet nga i cili Shqipëria patjetër duhet të ndahet në mënyrë të qytetëruar. Themelore është kjo: ka pasur Shqipëria krime kundër njerëzimit apo nuk ka pasur? Ka kryer sistemi komunist në Shqipëri krime kundër njerëzimit? Krimet kundër njerëzimit janë krimet, torturat, vrasjet, ndjekjet për qëllime politike. Kësaj pyetje i është dhënë përgjigje përfundimtare se Shqipëria ka pasur krime kundër njerëzimit nga sistemi komunist më shumë se Çekia, Polonia, Sllovakia, Rumania, Bullgaria, Hungaria, po të përjashtosh revolucionin e ‘54-ës, të gjitha të marra bashkë, shumë më tepër. Po jap vetëm një shifër, Gjermania Lindore në 45 vjet ka pasur vetëm 250 qytetarë të ekzekutuar me gjyq për qëllime politike, kurse Shqipëria numëron vetëm gra në procese politike rreth 800, pa llogaritur sa kanë vdekur kampeve, pa llogaritur sa janë ekzekutuar pa gjyq. Po flas pra për gratë. A duhet Shqipëria të ndahet nga kjo e shkuar? Shqipëria duhet të ndahet nga kjo e shkuar. Po të marrësh historinë e vendeve ish-komuniste, ky debat është kudo i gjallë. Vjet Rumania ka vënë ligjin për të çuar për ndjekje penale ata që kanë kryer këto krime. Atëherë, a mundet që të ndërmerret një zinxhir i pafund procesesh penale ndaj atyre që kanë kryer këto krime. E vështirë kjo. Nuk mendoj se është e mundshme, por një formë për ndarje prej saj duhet, sepse po s'u ndave, ato mbeten aty. Kjo pjesë e shoqërisë që është së paku 25 për qind e saj, kërkon një ngushëllim, një respekt. Çfarë respekti sheh ajo kur në krye të drejtësisë shqiptare janë të vendosur ata që kanë urdhëruar, kanë vendosur për vrasjen e një poeti të ri, për fajin e vet se guxoi të përmend termin të drejtat e njeriut në vargjet e tij? Çfarë respekti ndiejnë ata kur në vitin ‘90-të, pasi u hoq ligji për tradhti të lartë për ata që arratiseshin, u ekzekutuan në kufij me dhjetëra, në mos qindra të rinj dhe në disa raste trupat e tyre u zvarritën ditën për drekë në sheshin e qyteteve si Saranda dhe Shkodra, të lidhur me tela me gjemba. Kurse një nga ata ishte deri para tre javësh njeriu kryesor i hetimeve në Shqipëri. Çfarë synon ky ligj? Ky ligj synon një gjë: të ndahemi nga këto krime. Të tjerët po e bëjnë me procese gjyqësore. Ne nuk po e bëjmë me procese gjyqësore. Ne themi, dilni me një anë, sepse këta dolën me një anë njëherë në 95-ën dhe për fat të keq, kur u kthyen socialistët në pushtet, aprovuan pikërisht nenet që nuk duhej t'i preknin. Kur unë u bëra Kryeministër, gjeta në Shërbimin Sekret Shqiptar tre-ish drejtorë të Sigurimit të Shtetit si këshilltarë, të shtetit të Enver Hoxhës.
Na thoni konkretisht cilat janë vërejtjet e bashkësisë ndërkombëtare për ligjin e dosjeve?
Shiko, pse bëhen vërejtje. Ka të drejtë bashkësia ndërkombëtare. Pse? Sepse kemi të bëjmë me një kufizim të të drejtave, por ky është një kufizim i përkohshëm. Dhe këtë e ka bërë çdo vend, nuk është Shqipëria që ka shpikur këtë gjë. Jo. Shqipëria ka ndjekur një linjë. Po të marrësh ligjet e republikave baltike, janë shumë më të ashpra, ligji polak i kujtesës kombëtare, është me seksione prokurorie dhe gjykate, pra është shumë më i ashpër. Ky i yni është në mes. Është një model çek.
Si do të zbatohet ky ligj kur llogaritet se shumë dosje janë zhdukur?
Dakord, kjo qëndron, por mendimi i përgjithshëm është që ato që janë duhet të hapen. Shiko, kur kam ardhur në New York për herë të parë, unë kam thënë që dosjet të mos hapen. Pse? Pikërisht jam nisur nga kjo që thua ti. Por, mendimi im u kundërshtua edhe unë rashë dakord. Unë dija që atë vit, kur isha në opozitë, ata po digjnin çdo ditë dosjet. Megjithatë, ka një gjë: dosjet e proceseve gjyqësore janë të paprekura. Në qoftë se ka një dokument që ekziston në mënyrë autentike, ato janë proceset gjyqësore. Ato janë të gjitha aty.
Si e vlerësoni rolin e diasporës shqiptare të Amerikës për të ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët që jetojnë në rajonet tjera të Ballkanit?
Roli i saj ka qenë themelor dhe i pazëvendësueshëm. Diaspora edhe atëherë kur flakët e lirisë u shuan në Shqipëri, në diasporë ato mbetën gjallë. Dhe më pas, në të gjitha kohërat, diaspora ka luajtur një nga rolet më përcaktuese në pavarësinë e Kosovës. Kosova para viteve 90-të, por edhe në fillimet e viteve 90-të, ishte një territor dhe një popullatë, që ia kishin kthyer shpinën të gjithë. Është lehtë t'i shohim gjërat tani, por e vërteta ka qenë ajo. Nuk i binte kujt ndërmend shumë përveç aktivistëve të të drejtave të njeriut në Evropë për Kosovën. Shqipëria deri me hapjen e saj kishte ndërtuar një politikë absolutisht të kundërt me interesin kombëtar. Kanë qenë kongresistët e Amerikës, shqiptarët e lidhur me ta, që ia dolën t'ua paraqesin atyre çështjen e dy milionë shqiptarëve të shtypur që përjetonin aparteid dhe segregacion në tokat e tyre të përhershme. Pra, hapi i parë, historike do të mbetet në analet e historisë sonë kombëtare, vizita e Bob Dole e kongresistëve amerikanë, e tëra e iniciuar nga diaspora. Pastaj, deri tek pavarësia e Kosovës, Marrëveshja e Ohrit dhe me radhë. Unë mendoj se diaspora i ka kryer me dinjitet të madh, me përkushtim dhe atdhetarizëm të flaktë të gjitha detyrimet e saj ndaj vendit dhe kombit.
Gazeta “Illyria” ka iniciuar themelimin e Dhomës Shqiptaro - Amerikane të Tregtisë për të ndihmuar investimet nga Amerika në Shqipëri. Si e vlerësoni ju këtë?
Jashtëzakonisht gjë e rëndësishme. Shqipëria më shumë se për çdo gjë tjetër sot ka nevojë për investime. Dhe unë i mirëpres të gjithë ata që duan të investojnë dhe i garantoj se do të bëj çdo gjë për të qenë avokat për suksesin e tyre në Shqipëri.