Problemi i pronës zgjidhet shpejt, por e pengon oreksi i politikanëve për t’u bërë pronarë të bregde
E falënderojmë zotin Helmut Lohan, ambasadorin e KE në Tiranë, dhe jemi të sigurt se të gjithë shqiptarët, që dëshirojnë zhvillimin e vendit, e kanë falënderuar atë, sepse zyrtarisht ai vuri në dukje dhe theksoi publikisht se parimi i respektimit të titujve të pronësisë është kusht zhvillimi ekonomik, integrimi në BE dhe në NATO. Mbështetja u pasqyrua dukshëm në reagimet ndaj artikujve të gazetave që të nesërmen, në telefonatat e qytetarëve në emisionin e orës 7.00 datë 6, në TV News 24.
Tashmë, domosdoshmërinë për të korrigjuar gabimet dhe për ta kthyer pronën tek i zoti, nuk e kërkon vetëm shoqata, por publikisht janë shprehur dhe institucione të tjera evropiane si ambasadori i Britanisë së Madhe, i Danimarkës, i Gjermanisë i Francës, ambasadori aktual i OSBE etj., dhe me siguri që ky numër do të shtohet shpejt. Kjo tregon se këto institucione në përpunimin e informacionit të medias në “laboratorin e tyre”, nëpërmjet shumë burimeve tashmë e kanë analizuar situatën e pronës dhe kanë vlerësuar se vullneti politik në Shqipëri vazhdon të jetë antipronar sipas Katovicës. Në grackën e tranzicionit, sipas Katovicës, është futur përfaqësia e Bankës Botërore në Tiranë, por, siç u raportua në media, ky gabim u kap nga zyra qendrore. Auditi i zyrës qendrore të B. Botërore u vu në lëvizje nga ankesa e një bregdetasi të emigruar në Kanada dhe ky është një zhvillim pro demokratik. I gjithë trupi diplomatik i akredituar në vendin tonë është sensibilizuar nga letrat e shumta të shoqatës “Bregdeti”, të asaj “Pronësi me Drejtësi”, por dhe të intelektualëve e qytetarëve të shumtë, se mungon plotësisht vullneti politik për të kthyer tek i zoti pronën e marrë padrejtësisht nga sistemi i diktaturës. Diplomatët e huaj tashmë duhet të jenë bindur se moskthimi i pronës tek i zoti (tokë, truall, livadh, ullinj, pemishte etj.), është problematik në zonën turistike dhe problemi i kthimit të pronës nuk ekziston në asnjë rast në zonat veriore dhe verilindore të vendit, ku prona është kthyer me kohë tek i zoti. Mungesën e vullnetit, situatën korruptive ku ligji dhe e drejta për pronën barazohet me dëshirën dhe vullnetin e kryetarit të Komisionit të Kthimit të Pronave, kur këta kryetarë ndryshojnë çdo 3-6 muaj pa korrigjuar asgjë, e ushqen oreksi i politikanëve për të grabitur bregdetin. Në seminarin dyditor të organizuar për problemet e pronës nga Ministria e Ekonomisë, përfaqësia e shoqatës “Bregdeti” nuk ishte e ftuar, ndonëse ne jemi tamam pala e dëmtuar nga politikat dhe veprimet antikushtetuese të këtyre politikanëve, sepse pjesëmarrja dhe argumentet tona do ta shqetësonin palën e politikës mëkatare. Përfaqësuesi i qeverisë, zv/ministri i Ekonomisë, z. Eno Bozdo, nuk kishte nga t’ia mbante dhe e pranoi kritikën e ambasadorit Lohan, por absurde ishte përgjigjja e tij se “ky problem nuk mund të zgjidhet shpejt (!!!) dhe kërkoi një periudhë tre a më shumë vjet. Ky nuk është qëndrimi i zv/ministrit, por i qeverisë. Pse zotëri pushtetarë duhet pritur edhe tre vjet për të miratuar një ligj që të kthejë edhe në bregdet pronën te i zoti, ashtu siç është vepruar në shumicën e territorit shqiptar? Pas 3 vjetësh situata do jetë edhe më e rënduar zoti Eno Bozdo. A nuk e kuptoni se kjo është një politikë antikombëtare, ashtu siç ishte edhe ajo e nxitjes së lëvizjes së lirë, e nxitjes së pushtimeve të tokave të tjetërkujt, e heshtje ndaj ndërtimeve pa leje dhe e premtimeve për legalizime? Përgjigjja e z. Bozdo, dhënë në seminar ndaj kritikës publike të ambasadorit Lohan, shpreh shumë haptas qëndrimin konsekuent antipronar të qeverisë dhe politikës shqiptare, çka mendojmë se e bën të domosdoshëm imponimin, kushtëzimin dhe shtrëngimin kolektiv të institucioneve ndërkombëtare ndaj politikave që shtyjnë kohën me mashtrime. Ne u themi edhe njëherë këtyre politikanëve, se kjo politikë dhe ky drejtim antipronar i ka bërë të pasur vetëm përkohësisht, por i ka turpëruar publikisht. Kryeministri dhe qeveria duhet të reagojnë, se po vazhduan kështu, shtohen dëmet që ata po i shkaktojnë zhvillimeve ekonomike, politike. Po ashtu, dhe dëmet sociale të vendit janë të pallogaritshme. Ne apelojmë që politikanët e ndershëm e patriotë të distancohen nga ata që për interesa personale i kanë shitur dhe vazhdojnë t’i shesin interesat e vendit të tyre. Zgjidhja e problemit të pronës është e lehtë, nëse do të ketë vullnet politik për të zbatuar Rezolutën e Kuvendit të 8 Mbarëbregdetar për Pronën, i mbajtur më 10 gusht 2008 ose po të zbatohen 12 kërkesat që ka paraqitur shoqata “Pronësi me Drejtësi” që edhe ne si “Bregdet” i mbështesim. (Të gjitha të botuara në disa gazeta). Projektligji ynë i mbështetur në këto 12 pika është në përputhje me të gjitha kërkesat e KE dhe që të realizohet do të nevojiteshin vullnet politik për ta zbatuar nenin 181 të Kushtetutës dhe jo 3 apo 4 vjet, por aq ditë sa duhet për të miratuar në Kuvend me procedurë të shpejtuar një ligj që e ka faturën financiare zero. Pasaporta biometrike është i vetmi kusht dhe do të na lejojë të udhëtojmë në Evropë, por prona tek i zoti hap rrugën për në NATO dhe BE ashtu siç duhet, me dinjitet e jo si politikanët të tjetërsuar në shegertë të nënshtruar ndaj grabitësve. Me këtë rast, krahas falënderimit dhe respektit për të gjitha institucionet që kanë mbështetur kthimin e pronës tek i zoti, ne kërkojmë nga përfaqësuesit e partive politike të të cilitdo ngjyrimi politik qofshin, se para se të kërkojnë votat e bregdetasve që jetojnë në zonat turistike Vlorë-Sarandë, por dhe të bregdetasve kudo ku ata jetojnë, politikanët duhet që më parë të shprehen publikisht për 12 kërkesat për zgjidhjen e problemit të pronës konform Kushtetutës, të shprehen se cilat prej tyre i pranojnë dhe cilat jo, si dhe kohën e realizimit të kthimit fizik dhe jo shprehje të përgjithshme për pronën. Ne kemi kërkuar dhe kërkojnë nga politikanët të miratojnë ligjin për kthimin real të pronës tek i zoti, dhe nuk pranojnë zëvendësimin e kthimit me kompensim, ashtu siç nuk pranojnë emrin ish-pronar si zëvendësues të emrit pronar. Qeveria le të mbarojë kthimin sipas parimeve të mirënjohura dhe kjo është e thjeshtë dhe e lehtë. Pas kësaj kompensimi është po ashtu i zgjidhur. Ne kemi bërë thirrje që edhe emigrantët tanë në vende të ndryshme të botës, ashtu si emigranti në Kanada, që ata të apelojnë qeveritë dhe politikanët e vendeve ku ata janë sistemuar dhe ingranuar, që këto shtete demokratike t’i tregojnë politikanëve shqiptarë se demokracia fillon me pronën dhe se grabitësi nuk është pronar i mallit të grabitur, se viktima e grabitur nuk mund të quhet ish-pronar dhe se, kur grabitësi kapet, pasuritë e grabitura prej tij në çdo kohë i kthehen të zotit dhe nuk ju jepen miqve të grabitësit. Shpresojmë se zv/ministri zoti Eno Bozdo do jetë dakord me këto parime hyjnore dhe gjithashtu ligjore e kushtetuese dhe do të bëhet promotor që institucioni dhe forca politike ku ai bën pjesë, të reagojë pozitivisht për të realizuar këtë të drejtë të pamohueshme, që vazhdon të na shkelet.