E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri i propozon “Big Brother” selinë e PD

Nga Antena brenda familjes

Flamuri dje pati një bisedë të gjatë me Arbana Osmanin, drejtuesen e spektaklit “Big Brother”, i cili do të çelej sot.

Nervozizmi i Flamurit ishte i arsyetuar. Ai duhet ta kishte marrë vesh më parë për spektaklin, pasi mund të bëheshin gjëra shumë të mira me të.

I telefonoi drejtueses së spektaklit dhe e pyeti ku është ajo shtëpia që mbyllen ata “cullët” brenda.

- Kujt i thua “cullë” ti, - tha Arbana, - se ata s’do jenë lakuriq, të veshur do jenë?

- Jo moj gocë, se cullë u themi fëmijëve, d.m.th., të rinjve. Se kam idenë që të rinj do jenë ata.

- Po, po, të rinj janë, - i tha Arbana. - Do mbyllen në një shtëpi afër autostradës.

- Po, pse u nxituat? - tha Flamuri. - Kishit folë me mua dhe e kisha ndreq këtë punë. I kishim futë te PD. Bosh është gjithë godina. Tek ajo mund të bëjnë ç’të duan. Kanë dhe parking, dhe vend për regji. Të gjitha i kanë. Jeni nxituar kot. Do na bënit shumë punë.

Arbana, që kujtoi se Flamuri tallej, qeshi dhe tha që “tani është punë e mbyllur”. Por Flamuri nuk e la me kaq. Kërkoi takim me producentin. Ia siguruan. Pas një ore i çoi planin.

- Plani im është ky, - tha. - Unë përgjigjem për fushatën. Më kanë thënë që dua të gjallëroj jetën e partisë deri në zgjedhje. Por e kam shumë të vështirë, se te PD nuk vjen njeri. E dinë që ai burri nuk vjen më dhe nuk shkel njeri. Jam vetëm unë. Dhe ankesat që sjellin njerëzit ia çoj atij burrit në Kryeministri, por kurrë nuk zgjidh gjë. Kjo gjë na ka lënë PD bosh. Sikur ta bënit ju “Big Brother” te PD, e kisha shty deri në fund të majit. Pastaj më 28 fillon fushata dhe ishim në rregull.

- Ide e mirë, - i tha producenti, - por tani e kemi zgjedhur vendin.

- S’ka problem, - i tha Flamuri. - Le të fillojnë aty, se i trembim si atëherë me Gërdecin. I fusim një shpërthim si kot dhe tremben ata. Ose çojmë Gaz Oketën të thotë që zona është e ndotur dhe i heqim. Aman, se më bën nder të madh.

- Ta shikojmë, - i tha producenti. - Nuk është ide e keqe.

Flamuri i entuziazmuar nga thyerja e producentit, vazhdoi më tej. - Mund të bëhen kombinime, - tha. - Femrat p.sh., i fusim të flenë te zyra e Jozefinës. Asnjë s’del gjallë që andej. Ndonjë që ka prirje për pará, e fusim te zyra e Ridvan Bodes. Pa kokërr leku ka për të dalë. Ndonjë që sillet keq, e mbyllim te zyra e Ferdinand Ponit dhe del i asfiksuar. Ndonjë nga këta liberalët me prirje homoseksuale e fusim te zyra e Lul Bashës. Kush vjen nga fshati apo zona informale, kemi zyrën e Shaban Memisë. Kush ka prirje për diplomat, e lëmë në korridor, se zyrën e Besnik Mustafajt nuk e hapim më. Na duket se është hija e tij aty. Ndonjë që ka prirje të merret me gazetari, e çojmë te paradhoma e doktorit, se aty rri Fevziu dhe Sandri, kur vijnë. Fituesit, natyrisht do t’i japim si shpërblim të flejë një natë te zyra e atij burrit. Ta mbaj mend gjithë jetën.

- Ide e mirë, ide e mirë, - i tha producenti. - Po kemi dhe këta zëvendësuesit.

- Ata i fusim te salla e aleatëve. Aty ku pret ai burri aleatët. Atë kemi për rezervë. Shumë sallë e mirë është. Kështu e kam dhe unë më të lehtë. Se nga mënyra se si do të seleksionohen ata nga publiku, unë bëj një raport dhe ia jap atij burrit. I them për shembull që fituesi doli nga zyra e filanit, humbësi nga zyra e filanit, i duruari nga zyra e filanit. Dhe në fund e kuptojmë dhe nga cili grup duhet ta marrim fituesin.

- Shumë ide e mirë, - i tha producenti. - Por rregulli ynë është kush duron lojën deri në fund, kurse me rregullat e PD, siç po thua ti, e fiton ai që vjen nga rruga ditën e fundit.

- Epo, ndaj desha ta bënit në PD, - tha Flamuri, - se sipas rregullave tuaja, e fiton Gert Bogdani “Big Brother” në PD. Se dhe ju kështu i zgjidhni, jo shumë të talentuar, jo shumë të kulturuar, jo shumë të pastër, jo shumë të zgjuar, por dhe jo shumë të trashë. Por Gert Bogdanit nuk i takon, se e mori kunati i tij vjet, Arbër Çepani. Sivjet duhet ta ndryshoni. Ma lini mua, se i qes nga loja me radhë dhe di unë kë nxjerr. Një telefon më duhet nga ai burri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›