E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëmbejnë zyrtarë

Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të shkëmbejnë zyrtarë ndërlidhës në dy kryeqytetet. Bashkimi Europian do ta lehtësojë zbatimin e kësaj marrëveshjeje, duke hapur zyrat e veta në Prishtinë dhe Beograd për përfaqësuesit e të dy palëve. Në takimin e tretë Thaçi – Dacic u konfirmua gatishmëria për ta zbatuar marrëveshjen IBM nga data 10 dhjetor. Baronesha Ashton njoftoi se takimi i radhës do të mbahet më 17 janar.

Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic janë pajtuar të martën në mbrëmje që të shkëmbejnë zyrtarët e parë ndërlidhës, të cilët do të operojnë në zyrat e BE’së në Prishtinë dhe Beograd.

Fillimisht ishte përmendur opsioni i hapjes së Zyrave Ndërlidhëse në të dy shtetet, porse me këtë nuk është pajtuar Serbia.

Në komunikatën e BE’së, të lëshuar pas darkës së përbashkët mes Thaçi-Dacic dhe Baroneshës Ashton, nuk është saktësuar se çfarë roli do të kenë zyrtarët ndërlidhës të dy vendeve.

Marrëveshjet mes dy Kryeministrave janë konfirmuar nga Baronesha Ashton, e cila ka treguar edhe rreth pajtimit për zbatimin e plotë të IBM’së.

Për dallim prej dy takimeve të para, në takimin e tretë, Thaçi dhe Dacic nuk kanë folur për autostradën dhe as nuk kanë komentuar se a kanë pirë ujë apo raki gjatë darkës së shtruar nga Zyra e Ashtonit.

“Dy kryeministrat janë pajtuar që secili të emërojë nga një zyrtar ndërlidhës. Për fillim, në kuadër të rolit lehtësues të BE’së, delegacioni i BE’së në Beograd dhe Zyra e BE’së në Prishtinë do të ofrojnë zyrat ndërlidhëse për këta zyrtarë ndërlidhës”, ka deklaruar Ashton.

Siç është paralajmëruar, Thaçi dhe Dacic kanë arritur marrëveshje për zbatimin e Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, por jo para fundit të këtij viti.

“Dy kryeministrat konfirmuan se pikat kufitare në Jarinjë dhe Merdarë do të jenë të gatshme më 10 dhjetor. Ndërsa, pika kufitare Dheu i Bardh dhe ajo në Bërnjak do të jenë funksionale më 31 dhjetor”, ka thënë Ashton.

Gatishmëria për zbatimin e IBM’së ka ndodhur pikërisht në ditën kur serbët e veriut kanë shkatërruar pikëkalimin kufitar në Veri.

Në takimin fundit për këtë vit, Ashton ka thënë se Thaçi ka konfirmuar se ka formuar njësinë e policisë multietnike për të ruajtur objektet e trashëgiminë kulturore.

Sipas njoftimit, Thaçi dhe Dacic janë pajtuar për të vazhduar punën për energjinë dhe telekomin në nivel të ekspertëve si dhe të intensifikojnë punën komisionet për personat e pagjetur.

Dy udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar që të gjejnë mënyra për të siguruar transparencën e financave që vijnë për komunitetin serb që jeton në Kosovë pa dhënë më shumë shpjegime.

“Takimi i radhës pritet të mbahet më 17 janar të vitit 2013”, thuhet në njoftim e BE’së.

Ndryshe, takimet mes dy Kryeministrave po ndodhin pas kërkesave të BE’së dhe SHBA’së për t’i normalizuar raportet në mënyrë që të hapet rruga për integrim në Bashkim Europian për dy vendet.

Shefi i Qeverisë së Kosovës dhe ai i Qeverisë së Serbisë janë takuar për herë të parë në Bruksel më 19 tetor, ndërsa në takimin e dytë më 7 nëntor.

Por, Kryeministri i Serbisë para se të shkonte në takimin me Thaçin, ka thënë se në Bruksel po shkon për të shpëtuar diçka nga ajo që është humbur në Kosovë.

“Kur do ta fusim në kokë se neve na është marrë diçka dhe duhet të shpëtojmë atë që mund të shpëtohet”, u shpreh Dacic.

Krejt bisedimet, Dacic i ka ndërlidhur me anëtarësimin e Serbisë në BE.

“Serbia gjendet në pozitë të keqe. Para një viti është arritur një marrëveshje (pa nënshkrim) me Prishtinën, të cilën unë nuk do ta nënshkruaja. Por, këtu më nuk ka politikë në mes, veç duhet të thoni se nuk qëndroni pas marrëveshjes, a kjo do të nënkuptonte që nuk qëndrojmë as pas marrjes së datës për bisedime( me BE-në)”, ka shtuar ai.

N’ zyrat e BE’së

Pas publikimit të njoftimit të BE’së, Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku, ka shkruar në rrjete sociale se “Serbia e njohu Kosovën” me aktin e hapjes së Zyrave Ndërlidhëse.

Në fakt, as Serbia në Prishtinë dhe as Kosova në Beograd nuk do të hapin zyrat e tyre, porse zyrtarët ndërlidhës do të punojnë në Zyrat e BE’së.

“Kosova dhe Serbia u pajtuan që të hapin Zyrat Ndërlidhëse në të dy kryeqytetet! Hap i parë drejt njohjes!”, ka shkruar Çitaku.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›