Izraeli injoron apelet për kolonitë

Projekti "Ramat Shlomo" shkaktoi hendek diplomatik midis Izraelit dhe Washingtonit, veçanërisht gjatë vizitës së nënpresidentit amerikan, Joe Biden.
Bëhet fjalë për një qark hebraik në Jerusalemin Lindor, i cili është i populluar kryesisht me arabë, të cilin Izraeli e pushtoi gjatë luftës gjashtëditore në vitin 1967 dhe më vonë e aneksoi, veprim ky që asnjëherë nuk u pranua nga bashkësia ndërkombëtare.
Paralajmërimi për jetësimin e planit pasoi, pasi SHBA-ja dhe vendet evropiane, si dhe Kombet e Bashkuara shprehën kundërshtim për vendimin paraprak të Izraelit të ndërtojë tre mijë njësi të reja banesore në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor, si përgjigje e de fakto njohjes së shtetësisë palestineze në OKB.
Zëdhënësi i Ministrisë izraelite të Punëve të Brendshme, Efrat Orbah deklaroi se në dy javët e ardhshme Komiteti i Ministrisë do të diskutojë për vërejtjet e programit dhe më pas do të vendosë se cilat prej tyre do t'i pranojë.