E Diel, 1 Nëntor 2026

Toka dhe njeriu në duelin mitik të shpejtësisë dhe 42 km/orë prej Usain BoltNga Besnik DizdariKa qenë si sot po gusht, por i vitit 2008. Plot 1 vit mbas një shkrimi këtu në “TemA”. Kishte të bënte me ngjarjen e vetme që “mposhti” 8 medaljet e arta t

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Toka dhe njeriu në duelin mitik të shpejtësisë dhe 42 km/orë prej Usain BoltNga Besnik Dizdari

Ka qenë si sot po gusht, por i vitit 2008. Plot 1 vit mbas një shkrimi këtu në “TemA”. Kishte të bënte me ngjarjen e vetme që “mposhti” 8 medaljet e arta të njeriut të ujit, Michael Phelps-t. Ishte ajo çka bëri njeriu tjetër, ai i tokës: Usain Bolt i Xhamaikës. Ai fitoi vetëm 3 medalje të arta, që dukeshin pak në krahasim me ato të notarit të madh, por medaljet e tij i përkisnin Mbretëreshës-Atletikë dhe kishin të bënin jo me mposhtjen e ujit, por të tokës, e cila tash 113 vjet përpiqet të ndalë shpejtësinë e njeriut. Kjo është lufta e papushueshme midis tokës dhe njeriut: lufta për shpejtësinë – një nga bazat e zhvillimit të shoqërisë njerëzore në të gjitha fushat e jetës. Dhe gjithçka e kishte marrë përsipër njeriu i Pekinit 2008, por dhe i të dielës në mbrëmbje, ndryshe njeriu i Berlinit 2009. Në të vërtetë jo njeriu, por supernjeriu, supermeni: Usai Bolt!.

113 vjetët përrallorë të sprintit

113 vjet më parë, ajo ishte një histori që zgjaste 12 sekonda. Sot, mbas 113 vjetëve, ajo është një histori që është bërë tejet më e shkurtër: 2 sekonda e 42 të qindtat më pak! Në një ditë të prillit 1896, saktësisht më 10 prill 1896, në stadiumin e mermertë të Athinës, një amerikan i quajtur Thomas Burke zuri vend midis pesë njerëzve që do të zhvillonin 100 metrat e parë olimpikë, u ul dhe mbështeti dy duart në tokë me vështrimin përpara. Askush nuk ia vuri veshin e secili ruajti stilin e tij “origjinal”. Fitoi Burke. Fitoi me 12 sekonda, një rezultat jo aq i lartë, sepse rekordi botëror ishte 10.8 ose 10 e ¾, siç fiksohej asokohe të shekullit XIX. Megjithate, kur u pa fotografia e garës, shumë kohë mbas Olimpiadës, të gjithë ndalën te pozicioni i Burkes. Dhe qysh atë ditë ata ndoqën shembullin e tij të pazakontë të quajtur “all four” (të katërt) që nënkuptonte “me këmbët dhe duart e mbështetura fort në tokë”. Ishte si forca e Anteut.

Kësisoji, qysh atë ditë athinase të 113 vjetëve më parë, “luftërat” e 100 metrave kanë sunduar Olimpiadën dhe Botën. Dhe në 113 vjet deri te rekordi botëror i Usain Bolt të së dielës së 16 gushtit 2009 të Shekullit XXI, janë fituar “vetëm” 2 sekonda e 42 të qindtat. Mbrenda këtij ndryshimi është një epokë e tanë e emblemës së Mbretëreshës së Sporteve që është 100 metërshi. Dhe në plot 113 vjet e gjithë lufta bëhet për të dhjetat e të qindtat e sekondës…

Eddie Tolan, një zezak edhe ai, i vraponte 100 metrat me syze të lidhura mbas kresë dhe gjatë gjithë garës përtypte çimçakez! I thonin “rrufeja e zezë”. Kur ai më 1932 shënoi 10.3, e gjithë Bota mbajti frymën. Ishte fenomenale!

Më 1936 Owensi legjendar, ndryshe James Cleveland “Jesse” Owens, 23 vjeç djalë, midis katër medaljeve të arta, në atë të 100 metrave dha 10.3 duke përsëritur rekordin e Tolan të katër vjetëve më parë në Los Angeles. Në Berlin, më 3 gusht 1936, Owens merr kualifikimin për fundoren me një 10.4 duke ngadalësuar shpejtësinë në metrat e fundit, kur në ¼ kishte shënuar 10.2 me pak erë në të mirë të tij. Mandej, mbas orëve të po asaj dite, saktësisht në orën 17.00 të 3 gushtit, në fundoren (finalen) ai nuk përmbahet me 10.3 të tij. 100.000 gjermanë të Olympiastadion, po ky stadium i parmbrëmshëm ku interpretoi pa mëshirë Usain Bolt, çuditërisht për një çast nuk duartrokitën, por shtangën. Mandej shpërthyen si një vullkan. Adolf Hitleri ngriu. Dhe braktisi tribunën pa u përshëndetur me zezakun e varfër të Alabamas, Owensin, duke u justifikuar edhe me një stuhi të rrufeshme shiu që papritmas mbuloi “Olympiastadion”.

Hitleri do të humbiste luftën dhe gjithçka tjetër. Dhe do të mbërrinte 1960, Evropa e paqes së madhe që Armin Hari i Gjermanisë ta bënte 10.2 në Olimpiadën e Romës, vetëm disa javë mbasi kishte arritur 10.00 sekonda të pastër. Ai ishte një sprinter dinak, i cili ia arrinte të humbte në start vetëm 3 të qindtat e sekondës!

Mbas Harit lufta për 100 metrat u përqëndrua për të arritur nën 10 sekonda. Më 1968 në Meksiko, beteja ishte thuajse napoleoniane. Jim Hines u ndal në 9.95 mbasi për herë të parë kronometri llogariste edhe të qindtat e sekondës. Ishte e pabesueshme! Papritmas, Hines e shndërron luftën sportive në luftë politike kur refuzon ceremoninë e Avery Brundage, presidenti konservator i CIO-s.

Duhej të kalonin 20 vjet që të mbërrinte Carl Lewis dhe t’i zbriste shifrat në 9.92 në Seul më 1988. Nuk ishte kaq e thjeshtë. Në të vërtetë, kronometrat nuk përmbaheshin atë ditë të 27 shtatorit 1988. Papritmas, një kanadez fenomenal, me emrin Ben Johnson, kishte mbërritur 9.79! Asnjëherë 100 metrat nuk ishin ndjerë më të mposhtur se kësaj rradhe, por kanadezit i zbulohet droga që kishte artificializuar muskujt e tij deri në pabesueshmëri. Ai përjashtohet! Fiton Lewis me 9.92.

Mandej është viti 1996 i Donovan Bailey po të Kanadasë, episodi i vërtetë i një 28 vjeçari, i cili rrëzon edhe rekordin botëror të para dy vjetëve të Burrel-it, me vetëm 1 të qindtën më shpejt. Deri asokohe Bailey ishte ndër të rrallët që i kishte bërë 100 metrat plot 5 herë nën 10 sekonda.

U tha se lufta për shpejtësinë përmes 100 metrave të këmbëve të njeriut kishte prekur skajin, aq sa shkencëtarët pohuan se nuk mund të shkohej kurrsesi më tej, sidomos në Olimpiadat ku emocionet e garës nuk mund të krahasohen me të asnjë turneu tjetër. Edhe pse jashtë Olimpiadës, Tim Montgomery do të mbërrinte te shifrat e frikshme 9.78.

U tha se lufta mori fund me kaq. Njeriu ishte lodhur prej rezistenës që i bënte shpejtësia…

Usain Bolt: 9.58!

Më 21 gusht 1996, në një fshat krejt të panjohur të Xhamaikës që quhej Trelawny, një zezak i hollë dhe i varfër mbushte 10 vjeç. Emri i tij i panjohur prej askuj ishte Usain Bolt. Ky ishte njeriu i paracaktuar prej Zotit, i cili mbas plot 12 vjetëve e 15 ditëve, do të niste betejën më napoleoniane që kishte njohur historia e njerëzimit në luftën e papushueshme me shpejtësinë.

Beteja e tij ishte lënë që të zhvillohej mbrenda një harku kohor thuajse të rrufeshëm të vitit 2008. Ishte shekulli tjetër. Do të mjaftonin vetëm 7 ditë, nga 16 gushti deri te 22 gushti 2008 përmes kësaj ritmike:

- 16 gusht 2008: Usain Bolt: 100 metrat për 9.69 sekonda – Rekord Botëror!

- 20 gusht 2008: Usain Bolt: 200 metra për 19.30 sekonda – Rekord Botëror!

- 22 gusht 2008: Usain Bolt: stafeta 4x100 për 37.10 sekonda me shokët – Rekord Botëror!

Kjo ishte lufta e madhe që kishte njohur njerëzimi me tokën për t’i rrëmbyer shpejtësinë. Gjithçka përmblidhej në një emër të vetëm: Usain Bolt nga Xhamaika. Dhe vështroni çfarë përkimi fantastik përsa i përket 100 metrave:

- Pekin, 16 gusht 2008 dhe Usain Bolt 9.69 – rekord përrallor i 100 metrave!

- Berlin, 16 gusht 2009 dhe Usain Bolt 9.58 – rekord përrallor i 100 metrave!

Midis këtyre dy “vargjeve epikë” gjithçka është e njëjtë. Ndyshon vetëm shifra e fundit e vitit “8” me “9” dhe dy shifrat e të qindtave të sekondës: “69” që u bë “58”.

Dhe ditë më ditë e 16 gushtit: 2008 dhe 2009!

Nga Pekini në Berlin. Kësaj rradhe në Berlinin e Gjermanisë së bashkuar, jo asaj naziste të Adolf Hitlerit të Olimpiadës 1936. Eshtë në Kampionatin Botëror të Atletikës 2009.

Vitin e shkuar në Olimpiadë u tha: “Njeriu që lëvizi kufijtë e atletikës së mijëvjeçarit të Tretë”.

Kështu e përcaktoi gazetari i madh i atletikës, Gianni Merlo i “La Gazzetta dello Sport” të Milanos, presidenti ynë i AIPS (Shoqata Ndërkombëtare e Shtypit Sportiv), Usain Bolt-in mbas rekordit botëror të 100 metrave.

“Ai i bën nder emrit të tij Bolt, që në anglisht është sinonim i fjalës “shigjetë”, tha në Pekin Roberto Quercetani, ndoshta historiani më i madh i atletikës së lehtë, i cili përimtonte dukurinë se me shtatlartësinë e tij 1.96, çka nuk e kishte pasur asnjë sprinter deri më sot, ia kishte arritur të ndërtonte një motor të jashtëzakonshëm pagabueshmërie. Dhe qysh kur në Lojërat Olimpike është vendosur kronometrazhi automatik, vetëm dy shumë të mëdhenj, Bob Hayes në Tokio ’64 dhe Carl Lewis në Los Angeles ’84, kishin arritur të deklasonin me një largësi të tillë kundërshtarët e tyre të 100 metrave.

Kësaj rradhe ishte 9.58. Berlin 2009. Dje Quercetani ka heshtur. Mund t’i kenë mbaruar fjalët. Ose e ka të vështirë të gjejë fjalë të tjera të përshtatshme për këte tronditje sizmike të tokës prej shpejtësisë së njeriut. E në një farë mënyre i duhet kohë për ta marrë veten edhe atij, edhe historianit...

Autori i këtyre rradhëve nuk është një specialist i atletikës, është thjesht një amator i vjetër i atletikës, natyrisht tejet i pasionuar, qysh fëmijë madje, edhe pse në bibliotekën e tij jo të vogël, ruan një bibliotekëz të veçantë, të një koleksioni të pamatë librash historie ndërkombëtarë të këtij sporti. Po për një shkrim si ky ai i drejtohet më të diturve se ai. Kësisoji mund të pohojë pa ngurim se tash gati 55 vjet që e ndjek këte sport dhe tash përmbi 40 e mâ vjet në profesionin e gazetarit, nuk mban ndër mend që për garat e sprintit të mos ndalin kësisoji për asnjë ditë të një viti të tanë, komentet, përimtimet, krahasimet, ballafaqimet, parashikimet, kundërshtimet, jehonat, elozhet, euforia, shpërthimet. Bota e sportit përjeton gëzimin e mbarimit apo më mirë me thanë, të fitimit të një lufte të vërtetë, luftës për shpejtësinë…

“Ky është i pari vrapues që përdor marshin e gjashtë”, tha një studjues, i cili shton:

“Janë vetëm 41 hapa të tij në 100 metrat e tij për të farkëtuar këte legjendë. Tek ai nuk ka violencë, por vetëm harmoni në krejt aksionin e tij, thuajse muzikal”.

41 hapa, 2.66 mesatarja e hapjes së tyre, 0.165 metra në sekondë koha e reaksionit. Dhe 37.151 km/orë shpejtësia mesatare e krejt 100 metrave! Ajo e 50 metrave të fundit parmbrëmë ishte 41.38 km/orë!

“Usain Bolt, - ka thënë një fenomen i atletikës, Michael Johnson, - është një supermen i dytë, më ka mahnitë. Ai ka vrarë kundërshtarët dhe kronometrin. Nisja e tij është marramendëse!”

E dimë tashmâ se Usain Bolt është i vetmi atlet i historisë së njerëzimit i cili mban njëkohësisht të dy rekordet botërore të 100 e 200 metrave, ndërsa shpejtësia e tij e 200 metrave me 37.305 km/orë, siç kanë fiksuar studjuesit, është shpejtësia më e madhe që ka mbërritë njeriu duke u nisur nga vendi (i ndalur).

Shpejtësia më e madhe prej 43.900 km/orë që Bolt ka arritur në 200 metra, kalon shpejtësinë maksimale (më të lartë) të elefantit që e paska 40 km/orë. Njeriu po kërkon të sfidojë luftën me shpejtësinë e natyrës, ndonëse ende është larg kalit (77 km/orë), luanit (80 km/orë), gatopardit (118 km/orë).

Por midis njerëzve me luftën e papushueshme me shpejtësinë, të cilën deri tani plotësisht e ka fituar vetëm një njeri: Usain Bolt i Xhamaikës, i cili parmbrëmë me 9.58, nuk është se habiti Albertin e Monaco-s, i cili u bë i pari personalitet udhëheqës i një shteti, që në tribunën VIP i ra ballit me dorë i hipnotizuar prej një gare sportive. Në të vërtetë, të një çasti suprem kur njeriu vuri firmën e tij të ndritshme në nënshtrimin e tokës në luftën e papushueshme të tij me shpejtësinë, e fituar prej një Princi të vetëm, pa ushtri: Usain Bolt i Xhamajkës.

Cila është Xhamaika (Jamaica)

Një vit më parë Xhamaika (Jamaica) përbënte pa asnjë mëdyshje sensacionin e madh të Olimpiadës mbas suksesit të Kinës të 51 medajeve të arta. Për Xhamaikën 6 medalje ari, të gjitha nga Mbretëresha-Atletikë dhe renditja me medalje (11 në tanësi – edhe 3 argjendi dhe 2 bronzi) përbëjnë arritjen gjigande të ishullit të vogël të Karaibeve. Jo thjesht për shkak të popullsisë së vogël, vetëm 2.6 milion banorë - çka do të thotë se 1 medalje ari e Xhamaikës iu takon 450.000 banorëve, në një kohë që 1 medalje ari e Kinës iu takon 2.5 milion kinezëve, një raport befasues në të mirë të suksesit xhamajkian mbi atë kinez - por mbi të gjitha ngaqë Xhamaika ishte i vetmi shtet midis 13 të parëve që i fitoi të gjitha medaljet e arta nga elita e garave të Mbretëreshës: 100, 200 dhe 4x100 metra për meshkuj, 100 dhe 200 metra për femra, e madje edhe 400 metra me pengesa për femra.

Dhe kujtojmë emrat rradhazi të herojve xhamaikianë të 6 medaljeve të arta janë Usain Bolt, Nesta Carter, Michael Frater, Asafa Pawell, Shelly-Ann Fraser, Melaine Walker, Veronica Campbell-Brown. Për herë të parë në Olimpiada ndodhi që të gjitha garat e shpejtësisë, për femra e për meshkuj, t’i fitojë një shtet i vetëm, i cili në luftën e papushueshme për shpejtësinë mposhti gjigandin SHBA. Dhe deri në një tronditje prestigji! Të gjithë këta atletë nuk emigrojnë, rriten, stërviten dhe bëhen pushtues të botës olimpike duke u stërvitur në Xhamaikë prej trajnerëve vendas me në krye trajnerin xhamaikian Glen Mills të Usain Bolt-it – arkitektin e kësaj mrekullie të Shekullit XXI.

Kjo është Xhamaika. Monarki kushtetuese. 2.657.000 banorë për 10.991 km2 sipërfaqe. Vend i Komunuelthit Britanik, ku kryetar shteti është Mbretëresha e Anglisë, Elisabeth. Shtet ishull i Detit të Antileve – pjesë e Antileve të Mëdha. Në veri i rrethuar nga Kuba, në lindje nga ishulli tjetër, ai Hispaniol. Një vend malor i Maleve Blu. I zbuluar nga Kristofor Kolombi më 1494, kolonizuar prej spanjollëve, i pushtuar nga anglezët, qendër e trafikut të skllevërve drejt Amerikës Qendrore deri më 1833 kur fshihet skllavëria; deri sa më 1962 fiton pavarësinë nën kunorën britanike të Komunuelthit. 72 dhe 75 vjeç mesatarja e jetës meshkuj – femra, 52 përqind popullsi qytetare, 77 përqind popullsi zezake, afro 40 përqind të besimit protestan dhe anglishtfolës për kah gjuha, 10 përqind papunësi dhe 3580 dollarë amerikanë për frymë, 11.3 përqind analfabetë.

Xhamaika e këtij zhvillimi dhe moszhvillimi ishte një prej fuqive të Olimpiadës që shkoi, duke mbetur në histori si shteti i vogël dy milionësh sfidues i superfuqive të sportit, madje të elitës së sporteve, sportit më shkencor: Mbretëreshës - Atletikë. Dhe me vetëm 46 vjet pavarësi u bë fuqia e 13-të e Lojërave Olimpike në Pekin 2008 midis 204 shteteve pjesëmarrës!

Dhe jo vetëm kaq. Parmbrëmë, kjo Xhamajkë tronditi botën sportive edhe një herë tjetër me 9.58 në 100 metra që shtangu shkencëtarë, mjekë, biologë dhe gjenetistë, trajnerë dhe atletë, drejtues sportesh, skuadra, ekipe, shtete, krahina, njerëz, të rinj, të reja, spektatorë dhe telespektatorë në miliardë, të plot 213 shteteve që panë drejtpërdrejt 9.58-tën e njeriut të quajtur Usain Bolt, i cili ashtu si në Pekin një vit më parë, prap në çastin e fundit, e ndali shpejtësinë për të kthyer kryet nga kundërshtarët e tij, amerikani Gay dhe bashkatdhetari i tij, Powell.

Cili është sekreti i këtij shpërthimi të papamë, vepër e një mikroshteti thuajse, sa një e treta e Shqipërisë në sipërfaqe dhe sa dy të tretat e popullsisë shqiptare?

Përgjigjemi shkurt përmes fjalës së vetë Usain Bolt-it të thëna një vit më parë:

“Kemi trajnerë të mëdhenj dhe një sistem shkollor të aftë për të veçuar talentet në çdo pikë të ishullit. Por kurrë nuk është e lehtë. Mbrapa këtij suksesi dhe këtyre rekordeve, janë vite të pamshirshme pune vuajtëse, të plagosjeve, të sakrificave, të ëndërrave të realizuara, por dhe të humbura...”.

Ky është sekreti më i parë, më i thjeshtë i Xhamaikës. E çon më tej idenë trajneri John Leila, trajneri i High School të Kingstonit, kur thotë:

“Prej shkollës sime dalin sprinterë race. Të rinjtë tanë nuk dëfrehen me futbollin, por vetëm duke vrapuar 100 metrat. Bolt është krenaria jonë kombëtare”.

E, për këta të rinj, “të cilët rriten duke u ushqyer kryesisht me fasule e mish pule”, siç thotë një njohës i mirë i tyre, gjithçka është çështje e natyrës, por po aq dhe e shkollës. Mandej edhe çështje shtetërore. Kur mbaronin garën e Pekinit, ata shkonin dhe përqafonin ministrin e sporteve të Xhamaikës, Olivia Grange.

Kështu Xhamaika udhëheq dhe fiton e vetme luftën e papushueshme që njerëzimi bën tash 113 vjet me shpejtësinë. Një vend i vogël, më i vogël se Shqipëria, me vetëm 2.6 milion banorë. Ndodhi për herë të parë në 113 vjet. Ndoshta dhe për herë të fundit.

Vetëm disa çaste mbas garës së parmbrëmshme të Berlinit, në apotheozën qiellore të magjisë së tij, Usain Bolt i stepur edhe ai vetë pyeti:

“A do të mund ta thyej më këte rekord?...”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›