Fokus/Pluriministrat dhe të nanoistët e margjinalizuar riaktivizohen për të ngritur llogoren anti-Rama
Intriga në Partinë Socialiste ka kapur majat më të larta të saj. Rexhep Meidani, Arben Malaj, Kastriot Islami, Ylli Bufi dhe Luan Hajdaraga janë parë mbledhur së bashku në një nga lokalet e ish-Bllokut për t’iu kundërpërgjigjur spastrimeve në PS. Përpara kafesë së zakonshme tema bisedës është përqendruar aty ku dhemb dhëmbi, në listën e kandidatëve për deputetë dhe matricës që kërkon t’i japë Edi Rama. Ky riaktivizim publik i ish-socialistëve me kontribute në parti është bërë i domosdoshëm pas shpërfilljes së Statutit nga ana e kreut të PS, Edi Rama në komandimin e kreut të PS së Kukësit. Megjithatë këto 5 personalitete të Partisë Socialiste ka një gjë të përbashkët: janë menjanuar nga jeta publike e politike e vendit si pasojë e vendimmarrjes kulte e kryetarit të PS, Edi Rama. Dhe kjo gjë i bën bashkë deri në gjetjen e ilaçit për të hequr mishin e huaj, sic e quajnë ata, nga PS. Sigurisht tre prej tyre janë konsideruar prej Ramës si njerëz të afërt të ish-kryeministrit Nano, pasi në qeverisjen socialiste Arben Malaj ka qenë ish-ministër i Financave, Kastriot Islami ka qenë pluri-ministër dhe Luan Hajdaraga ish-ministri i Mbrojtjes (para pilafit) dhe janë përjashtuar nga rrethi i ngushtë i lidershipit socialist. Këto ish-socialistë të profilit të lartë duket se kanë lidhur bashkë një “aleancë politike” për të goditur profilin diktatorial të Edi Ramës në krye të PS. Në fakt, në debatin e zbardhur të deputetit Asllan Dogjani dhe kreu të PS, Edi Rama, ka qenë dhe ndërhyrja e fortë e Arben Malajt, i cili ka vënë në dukje se në përzgjedhjen e kreut të PS të qarkut të Kukësit, ai nuk është pyetur, paçka se është i deleguari i kryesisë në këtë qark. Kjo dalje e Arben Malajt në mbledhjen e grupit parlamentar kishte për qëllim të nxirrte në pah një vendimmarrje të ngushtë e okulte të Edi Ramës, i cili nuk merr vendime kolegjiale. Deputeti Arben Malaj duhet thënë se ka konsumuar tashmë besimin e Ramës dhe me shumë siguri do të dalë së shpejti jashtë loje. Në vend të tij, “prurje” të reja do të zëvendësojnë rolin që kanë pasur Rexhep Meidani, Arben Malaj, Kastriot Islami, Ylli Bufi dhe Luan Hajdaraga.
...