E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkencëtarët: Gripi i derrit një alarm në favor të kompanive farmaceutike

Një grup shkencëtarësh parashtruan fakte të pakundërshtueshme në Këshillin e Evropës. Ata kërkuan që të histe një hetim për të vënë para përgjegjësisë abuzuesit
Rezar Xhaxhiu
Strasburg

OBSH-ja por dhe trustet farmaceutike janë kryqëzuar dje në Këshillin e Evropës në Strasburg. Në orët e para të ditës në një audicion publik me temë “Virusi A/H1N1 dhe transparenca ndaj tij” një grup epidemiologësh, doktorësh dhe shkencëtarësh kanë nxjerrë në pah fakte tronditëse mbi të ashtuquajturin kërcënimi fals i pandemisë duke parashtruar të dhëna interesante përpara një audience gazetarësh deputetësh dhe të interesuarve të tjerë të pranishëm në këtë audicion. Volfang Vodarg epidemiolog gjerman, nuk ka kursyer kritikat e tij në drejtim të asaj që ai e quajti “xhestionim i gabuar i kësaj pandemie nga ana e OBSH-së”, pra të një pandemie që sipas tij ishte më shumë një krijesë e presionit të laboratorëve. Sipas doktorit gjerman, por, edhe sipas kolegëve të tij, ka ardhur koha të dalë në dritë arsyeja e vërtetë se përse OBSH dekretoi një alarm të tillë fals dhe të nxituar për një epidemi e cila nuk ishte në shkallën e rrezikut me të cilën e paraqiti.
Kritikat
Epidemiologët kanë shkuar më tej dhe i kanë kërkuar Këshillit të Evropës që t’u kërkojë të 47 vendeve anëtare të tij të hapin një hetim mbi konseguencat e një alarmi të tillë dhe të marrin përsipër gjithë shpenzimet e kota që u bënë për mbështetjen e një alarmi fals. Doktor Vodarg, ka bërë me dije se kanë qenë laboratorët ata që kanë gëlltitur miliardat e eurove të destinuara për shëndetin dhe i kanë drejtuar ato drejt stategjive të një vaksinimi fals dhe të dështuar. Doktor Vogard nuk ka kursyer edhe OBSH-në duke pretenduar se ky organizëm ka qenë nën presionin dhe influencën e kompanive farmaceutike që kanë nxitur shkencëtarët të ngrenë alarmin e rremë dhe të detyrojnë qeveritë e vendeve evropiane dhe më tej të kalonin në një vaksinim masiv dhe jo efikas.
Reagimi
Pas kësaj deklarate, i menjëhershëm ka qenë reagimi që ka mbërritur nga selia qendrore e OBSH-së. PO dje ky organizëm ka bërë me dije përmes një komunikate se “OBSH-ja ka të gjithë besimin e saj në procesin që inicioi në drejtim të pandemisë së gripit. OBSH-ja ka hedhur poshtë gjithashtu edhe hamendjet dhe akuzat se ajo e ka krijuar këtë alarm fals në interes të grupeve të fuqishme farmaceutike. Në komunikatën e saj OBSH është përpjekur të mbrojë pozicionin e saj duke nënvizuar se “Ky virus në planin gjenetik ishte i ndryshëm nga viruset e tjerë gripale dhe se ai mund të provokonte sëmundje të tjera më të rënda dhe vdekjeprurëse”. Me zhvillimet e djeshme duket se OBSH-ja nuk do ta ketë të lehtë të lehtësojë pozicionin e saj përballë akuzave të cilat kanë tronditur reputacionin dhe besueshmërinë e alarmeve të saj mbi epidemitë në botë.

27 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›