E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacientët nuk ankohen më, humbasin besimin se do u zgjidhet problemi

Ndryshe nga vitet e shkuara, pacientët shqiptarë nuk po trokasin më në dyert e urdhrit të mjekut. Presidenti i këtij institucioni, Dine Abazi, thotë se numri i ankesave të depozituara po vjen në rënie dhe faji për këtë është i sistemit shëndetësor. “Ankesat janë në të njëjtat shifra ose më pak se një vit më parë dhe faji për këtë nuk është yni, por i krizës së besimit që kanë pacientët ndaj mjekëve. Kjo reflektohet më pas dhe në besimin që kanë të sëmurët ndaj nesh si pjesë e sistemit shëndetësor”, tha Abazi.
Sipas Abazit, ministria e Shëndetësisë duhet të vazhdojë punën me reformat për të ndryshuar situatën e krijuar. “Ne kërkojmë nga të gjithë faktorët dhe aktorët të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së sistemit shëndetësor, ndërsa ministria e Shëndetësisë mbetet në krye të reformave të cilat duhet të realizohen për të kthyer besimin e pacientëve tek ky sistem”, nënvizoi presidenti i Urdhrit të Mjekut. Nga të dhënat e deritanishme të këtij institucioni, natyra e ankesave të pacientëve ka të bëjë me marrëdhëniet mjek-pacient në shërbimin spitalor. Ndërsa përsa i takon akuzave për jetë të humbura në spital, apo dëmet e shkaktuara nga pakujdesia e mjekëve, këto ankesa depozitohen në prokurori përmes kallëzimeve penale.

Studimet në Itali
Provimi i marsit, Instituti italian shtyn regjistrimet deri më 29 janar

Instituti Italian i Kulturës ka shtyrë afatin e regjistrimit, për të marrë pjesë në provimin e marsit për certifikatën “Celi 3”. Sipas një njoftimi zyrtar të këtij Instituti, regjistrimet për kurset katërmujore dhe për provimet Celi janë shtyre deri në datën 29 janar 2010. Sakaq, në njoftim thuhet se regjistrimet mund të kryhen çdo ditë nga e hëna në të premte, nga ora 15.00 deri në 16.30. ndërsa sipas një njoftimi të mëparshmë të Institutit Italian të Kulturës në kryeqytet, afati i fundit i regjistrimit ishte data 19 janar 2010. Testimi i dytë për marrjen e certifikatës “Celi 3” do të zhvillohet më 6 mars të vitit 2010. Në këtë provim, do të lejohen të marrin pjesë edhe kandidatët që nuk e kanë dhënë në fazën e parë të testimit provimin marrjes së certifikatës “Celi 3”, që u zhvillua në datën 23 nëntor. Po ashtu, në këtë provim, mund të marrin pjesë edhe kandidatët që nuk e kanë marrë certifikatën “Celi 3” në provimin e zhvilluar më 6 mars të vitit 2009. Sipas njoftimit zyrtar të Institutit Italian, kanë të drejtë të regjistrohen për provimin e marsit, të gjithë studentët që: kanë kaluar vetëm një provë të njohjes së gjuhës italiane me shkrim ose me gojë, në provimet e marsit dhe nëntorit 2009; zotërojnë një njohje të nivelit superior të gjuhës italiane pasi kanë tre vite që studiojnë. Instituti Italian i Kulturës rithekson se certifikata e njohjes së gjuhës italiane “Celi 3” ose ndonjë certifikatë tjetër analoge e lëshuar nga universitet italiane janë kushti kryesor për t’u pranuar kërkesa për studime në Itali gjatë vitit akademik 2010-2011. Përveç kësaj, pranimi i studentëve të huaj në universitetet italiane kryhet duke u bazuar edhe në numrin kuotave të pranimit që do të përcaktohen në shtator nga Ministria Italiane e Arsimit dhe e Universiteteve. Pajisja me Certifikatën e Njohjes së Gjuhës italiane – Niveli 3 (që i përket nivelit B2 i Quadro Comune Europeo di Riferimento per le Lingue) përbën një nga kushtet e preferueshme dhe të domosdoshme për t’u bërë i mundur pararegjistrimi në universitetet italiane.

Bashkëpunimi

Projekti Tempus, universitetet nënshkruajnë vazhdimin e tij deri në vitin 2013

Në kuadër të Ditës së Informatikës, universitetet publike të vendit së bashku me Ministrinë e Arsimit kanë nënshkruar dje vazhdimin e projektit Tempus deri në vitin 2013. Në kuadër të zbatimit të reformës në arsimin e lartë, MASH-i ka krijuar mundësinë që institucionet e larta të vendit të përfitojnë edhe nga programet europiane në këtë fushë, për të marrë eksperiencë dhe për të realizuar arritjen e standardeve europiane, në përputhje me procesin e Bolonjës, me synim përfshirjen e arsimit tonë të lartë në hapësirën europiane të arsimit të lartë. Aktualisht janë tre programe që po zbatohen në vendin tonë: Tempus, Ceepus dhe Erasmus Mundus. Programi Tempus pranë MASH-it zbaton pjesën për arsimin e lartë në programin CARDS të Komisionit Europian për Shqipërinë. Ky program është një bashkëpunim ndëreuropian në ndihmë të arsimit të lartë në mënyrë që ai të integrohet sa më mirë dhe më shpejt në arsimin e lartë europian. Një ndër synimet kryesore të Tempusit është realizimi nga universitetet shqiptare i procesit të Bolonjës, i cili është dhe përparësia kryesore e tij. Gjatë këtyre viteve ky program është financuar në tre drejtimet kryesore të tij që janë: projektet e përbashkëta evropiane; bursat individuale; masat strukturore dhe plotësuese. Që nga viti 1992 e deri tani, numri i aplikimeve ka qenë 183, nga të cilët 76 janë projekte fituese, 14 prej të cilave janë rajonale. Shuma e përgjithshme e financuar nga Komisioni Europian deri tani është 23,4 milion euro. Aktualisht, janë në vazhdim 12 projekte dhe pritet të fillojnë edhe 4 të tjerë. Nëpërmjet bursave individuale synohet direkt në trajnimin dhe ritrajnimin e vazhdueshëm të stafit akademik dhe menaxhues të këtyre institucioneve, pjesëmarrjes në konferenca ndërkombëtare, etj. Numri i fituesve të bursave individuale gjatë këtyre viteve ka qenë 1123 kandidatë.

27 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›