E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkencëtarët: Pasojat e rritjes së temperaturës, ende të paqarta

Shkencëtarët thonë se shumë nga pasojat afatgjatë të rritjes së temperaturës janë ende të panjohura për njerëzit. Ata po diskutojnë lidhur me këtë problem në konferencën për ndryshimet klimatike që po mbahet në Durban, të Afrikës së Jugut. Studjuesit thonë ndryshimi i klimës sjell një numër përfitimesh komplekse dhe pasojash, që lidhen sidomos me prodhimin e ushqimeve. Në fillim të nëntorit, studiues nga disa vende të botës u takuan në Pekin. Ata përfaqësonin të ashtuquajturit vende BRICS, që janë vende me zhvillim të shpejtë ekonomik, si Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, si dhe Shtetet e Bashkuara dhe Indonezia. Ndërkaq ata diskutuan për ndryshimet klimatike dhe sigurinë e ushqimeve dhe ranë dakord për një numër cështjesh dhe rekomandimesh për t’u paraqitur në konferencën e Durbanit. Një nga këta studjues, Gerlad Nelson, thotë se në takimin e Pekinit pjesëmarrësit ranë dakord për një program për negociatorët e traktatit për ndryshimet klimatike. Ky program përqëndrohet tek roli i bujqësisë. Studiuesi Gerard nelson thotë se parashikimet e motit tregojnë për rritje të konsiderueshme të temperaturave. Ai sqaron se gjatë 100 vjetëve të fundit ka patur një rritje temperature prej rreth 1 grade Celcius. Por parashikimi tani është për një rritje temperature me 2 gradë Celcius deri në vitin 2050. Një rritje e tillë, thotë studjuesi, mund të ketë një ndikim dramatik tek prodhimi i misrit. Nelson dhe pjesëmarrës të tjerë në takimin e Pekinit nxorën një listë me 12 përparësi për ndryshimet klimatike. Një prej tyre paralajmëron se një rritje temperature po ashtu mund të sjellë një rritje të insekteve të dëmshme që sulmojnë të mbjellat. Me rritjen e temperaturës, rajonet mund të humbin periudhën e ngricave që ndihmojnë të kufizimin e numrit të insekteve. Ndërsa barërat e këqia, shtohen shumë më tepër në kushtet e shtimit të dioksidit të karbonit në mjedis. Përparësi të tjera janë shfrytëzimi i tokës, bioteknologjia, humbjet në ushqimet e magazinuara dhe përgatitja teknike e studjuesve, fermerëve dhe të tjerëve, që ta trajtojnë më mirë ngrohjen globale

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›