E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkencëtarët japin alarmin: Brenda 4 viteve tërmet shkatërrues në Japoni

Një vit pas tërmetit më shkatërrues në historinë e njerëzimit, shkencëtarët japonezë thonë se Tokio mund të goditet nga një tjetër lëkundje e tokës, e cila mund të vrasë me mijëra njerëz e të shkaktojë dëme kolosale.

Lajmin e ka publikuar AsiaOne.com, sipas të cilës zona metropolitane e Tokios, e cila popullohet nga mbi 35 milionë njerëz, ka trefishuar aktivitetin e saj tektonik që pas tërmetit të frikshëm të 11 marsit të kaluar.

Kryeqyteti japonez, një nga vendet më të populluara në botë, regjistron mesatarisht 1.5 tërmete në ditë dhe banorët e Tokios janë mësuar me lëkundjet që ndodhin brenda pak sekondave.

Duhet theksuar se tërmeti i 11 marsit të shkuar, i cili pati epiqendrën 370 km nga Tokio, nuk rrëzoi asnjë ndërtesë në kryeqytetin japonez.

Instituti i Kërkimeve mbi Tërmetet në Universitetin e Tokios shprehet se për shkak të pozicionit të Tokios në vendin ku takohen katër pllaka tektonike ekzistojnë 50 për qind të mundësive për një tërmet të fortë, mbi 7 ballë.

“Duhet të përgatitemi për tërmetin që do të vijë”, thonë shkencëtarët. Sipas një simulimi, nëse një tërmet 7.3 ballë bie në gjirin e Tokios, viktimat mund të jenë rreth 6400 persona.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›