E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre në pranga, u kapën me 52 kg kanabis

Tiranë Një sasi prej 52 kg kanabis është bllokuar gjatë ditës së djeshme nga Policia e Tiranës si dhe kanë rënë në pranga 3 persona, të cilët dyshohen si poseduesit e saj. “Falë një hetimi përreth 2 muaj dhe mirëorganizimit të operacionit të koduar “Drejtimi i Duhur”, u arrit të kapen dhe arrestohen në flagrancë Festim Çela, 28 vjeç, banues në Pezë e Vogël Tiranë, Tonin Tarelli, 38 vjeç, banues në Tiranë si dhe Kristo Topalli, 45 vjeç, banues në Tiranë, të cilëve ju sekuestruar një sasi prej 52 kg lëndë narkotike e dyshuar si kanabis sativa, e ndarë në pako të presuar 1 kg-she, si dhe një automjet Taksi, 4 celularë, një peshore, natribant, qese për ambalazhim, doreza etj.”, bëjnë të ditur burime zyrtare nga blutë e kryeqytetit. Këta persona u kapën në flagrancë, me 12 kg lëndë narkotike e dyshuar si kanabis, në kohën që ishin duke lëvizur me një automjet taksi, pranë Kombinatit drejt qytetit të Tiranës. Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit të banesës së Festim Çelës, u gjet edhe një sasi tjetër prej 40 kg lëndë narkotike. Në total sasia e lëndës narkotike të sekuestruar është 52 kg, e cila referuar të dhënave paraprake të policisë, kishte destinacion shitjen dhe shpërndarjen e saj në Tiranë. Ndërkohë bëhet e ditur se materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre, do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për konsumim të veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›