E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohen nga Zvicra dhe Sllovenia dy shumë të kërkuar për vepra të rënda penale



Tiranë – Interpoli ka ekstraduar dy shumë të kërkuar brenda 24 orëve, njërin nga Zyrihu i Zvicrës dhe tjetrin nga Lubjana e Sllovenisë. Të ekstraduarit janë Elvis Avdisha, 27 vjeç dhe Ledian Tira, 29 vjeç, të dy nga Durrësi. Këta persona janë dënuar nga Drejtësia shqiptare me 7 vjet e gjashtë muaj dhe 16 vjet për vrasje të mbetura në tentativë. Vetëm dy ditë më parë Interpol Tirana kreu ekstradimin nga Zyrih – Zvicër të shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar Elvis Avdisha, pasi me vendim të Gjykatës së Apelit Durrës, numër 358 datë 21 nëntor 2005, ai është deklaruar fajtor për veprat penale të “vrasjes me dashje” mbetur në tentativë, “plagosjes së lehtë nga pakujdesia” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Në përfundim të gjykimit për Elvis Avdishën Gjykata e Apelit Durrës ka vendosur ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, duke e dënuar këtë shtetas me 7 vjet burgim për veprën penale të “vrasjes me dashje mbetur në tentativë” në dëm të shtetasit Erion Troplinit. Po ashtu kjo gjykatë ka vendosur lënien në fuqi të vendimit numër 320, datë 04.05.2005, të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për të ekstraduarin Elvis Avdisha, për veprat penale të “armëmbajtjes pa leje” dhe “plagosjes së lehtë nga pakujdesia” në dëm të shtetasit Romeo Bejto dhe dënimin e tij me 2 vjet dhe 75 000 lekë gjobë. Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, Gjykata e Apelit Durrës e ka dënuar këtë shtetas me 7 vjet e 6 muaj burgim. Ndërsa dje, rreth orës 14:40, po nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Lubjana-Slloveni, i shtetasit Ledian Tira, vjeç 29, nga Durrësi.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin numër 67, datë 19.03.1999, e ka dënuar me 16 vjet burgim, për kryerjen e veprave penale të “vrasjes” dhe “vrasjes së mbetur në tentativë”. Ledian Tira, në bashkëpunim me Osman Tellalin, më datën 14 prill 1998, rreth orës 24:00, pas një grindjeje banale me shtetasin Enver Kiptiu, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtëpisë së këtij të fundit, ku si pasojë ka mbetur e vdekur shtetasja Shaje Kiptiu.

20 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›