Shfrytëzonte një të mitur për vjedhjen e kapakëve të pusetave, arrestohet
Tiranë – Kryeqyteti shqiptar vazhdon të evidentohet nga vizitorët për mungesën e kapakëve të pusetave. Nuk është e vështirë të mësosh mekanizmin e vjedhjes së tyre, por njëkohësisht dhe arsyen se përse ndodhin ato. Thuajse në 80 për qind të rasteve janë të miturit ata që përdoren nga të rriturit për zhveshjen e pusetave nga kapakët. Pas kësaj kapakët prej gize përfundojnë në pikat e grumbullimit të skrapit. Shpesh policia ndalon autorë të vjedhjeve të kapakëve të pusetave, por nuk mund t’i arrestojë pasi ata janë të mitur. Jo më larg se dy ditë më parë uniformat blu ndaluan në flagrancë i dy shtetas, për konsumim të veprës penale të “vjedhjes në bashkëpunim”. F. M., 14 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe Julian Disha, 18 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë u ndaluan pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë kapur duke vjedhur 3 kapakë pusetash. U kryen veprimet procedurale dhe materialet i kaluan Prokurorisë.
Ndjekje penale për 55-vjeçarin, e denoncuan për vjedhje me anë të mashtrimit
Tiranë – E denoncuan për vjedhje me anë të mashtrimit, ndiqet penalisht 55-vjeçari. Specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomiko - Financiar dërguan materialet në Prokurorinë e Tiranës, për veprën penale të “mashtrimit” në ngarkim të shtetasit Selman Allajbeu, 55 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë. Në ngarkim të tij është deponuar nga një qytetar një kallëzim ku pretendohet se shtetasi i mësipërm, e ka mashtruar duke i marrë shumën e parave prej 1 200 000 lekësh. Materialet e përpiluara në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, së bashku me provat e tjera për veprime dhe hetime të mëtejshme.
Ishte në kërkim për abuzim në detyrë, arrestohet nga policia
Tiranë - Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit kreu arrestimin e shtetases në kërkim Mimoza Minga, 41 vjeçe, lindur dhe banuese në Tiranë. Ndaj saj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të datës 2 tetor 2006, e ka dënuar me 40 ditë burg për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 148 dhe 25 të Kodit Penal. Materialet i kaluan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
20 Gusht 2008