E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëputet Milani 3 pikë të lehta me Bolonjën

TIRANE-Tre blerjet e verës së shkuar, Boateng, Robinjo dhe Ibrahimoviç i kanë dhënë fitoren e radhës Milanit në kampionat. Në Bolonja, kuqezinjtë kanë zhvilluar një 90 minutësh spektakolar, duke marrë një fitore më të lehtë nga ç'ishte menduar në fillim. Takimi i djeshëm, i luajtur në një orar të pazakontë, në mesditë, është vendosur që në pjesën e parë, kur Boateng e Robinjo arritën të realizonin dy herë, pas dy aksionesh të mrekullueshme. Në pjesën e dytë pati kohë edhe për një gol të Zllatan Ibrahimoviç, sërish më i miri në fushë për kuqezinjtë. Në fund Bolonja humbi edhe një penallti me anë të Marko Di Vaios. Kjo fitore e çon Milanin në kuotën e 36 pikëve dhe e afron më shumë me titullin kampion të dimrit. Ndërkohë, është rikthyer te fitorja edhe Roma, që ka mposhtur minimalisht 1-0 Barin. Në "Olimpiko" është zhvilluar një 90 minutësh i shëmtuar, por në fund skuadra e Del Nerit ka arritur të marrë 3 pikët. Goli i Huan në minutën e 30-të ka vendosur këtë takim, ndëra më përpara Françesko Toti humbi edhe një penallti. Në fraksionin e dytë tempi i verdhekuqve ra ndjeshëm, por gjithsesi ata arritën të ruanin golin e Huan. Borrielo realizoi një tjetër gol 3 minuta para fundit, por arbitri e anuloi për prekje me dorë, ç'ka në të vërtetë nuk ishte aspak kështu. Në takimet e tjera, spikasin fitoret e Breshias dhe të Leçes, respektivisht përballë Sampdorias dhe Kievos. Takimi më i bukur ka qenë ai i luajtur në "Via del Mare", ku Leçe dhuroi një futboll ndryshe përballë Kievos, duke dominuar në çdo aspect. Ndërkohë, Sampi e pati shumë të vështirë ndaj Breshias, ndonëse në pjesën e dytë krijoi shumë. Një fitore e rëndësishme edhe për Kaljarin, që mposhti pa shumë probleme Katanian në fushën e vet.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›