Shkodër, Ministrja Godo shprehet e shqetësuar për gjendjen e spitalit psikiatrik
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me situatën në të cilën ndodhet spitali psikiatrik i Shkodrës. Gjatë një vizite në Shkodër, ministrja Godo ka bërë dhe deklaratën në përputhje me gjendjen e vërtetë të Psikiatrikut dhe kushteve që ai ka.
"Jemi disi të shqetësuar për gjendjen e psikiatrikut në spitalin e Shkodrës. Shëndeti mendor prej disa vitesh, është një nga prioritetet e politikave të qeverisë e për këtë do të ulemi të mendojmë dhe të vendosim për ato që ne i themi prioritete afatshkurtra, është shprehur ministrja Godo në Shkodër. Për këtë gjë, ajo ka sqaruar se duhet menduar se çfarë do të bëjmë ne sa më urgjentisht, për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe kushtet e shërbimit që ju afrohet të sëmurëve, por edhe për planet afatgjata që çfarë duhet të ketë në imazhin tonë në shërbimin e psikiatrisë në këtë vend në mënyrë që ndoshta, do të kemi disa ndryshime me ngritjen e një reparti të ri etj. Godo ka qenë e shoqëruar nga disa përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe i ka inspektuar pothuaj të gjitha mjediset e spitalit të Psikiatrisë në Shkodër dhe sipas saj, politika e sotme ishte se si duheshin integruar të sëmurët kronikë në komunitet, pasi ato duhet të dalin nga spitali dhe të bëjnë një jetë normale. Për këtë duhesh me të gjitha mënyrat të përmirësoheshin kushtet e Psikiatrikut në Shkodër dhe kjo ka qenë edhe deviza e të gjithë motivit të vizitës së Godos në këtë spital të qytetit më të madh në veri. Në fakt godina e psikiatrikut të Shkodrës, është e fundit e ngritur në kohë të diktaturës në Shqipëri, dhe atëherë u quajt një fitore e shëndetësisë, por metodologjia dhe aparaturat mbeten në nivelin banal të disa dhjetëra vjeçarëve pas. Sot psikiatriku i Shkodrës është një rudiment i qartë i shumë viteve mbrapa në teknologji dhe sidomos në metodologji larg bashkëkohores, dhe shërbimit modern. Për më tepër, jo vetëm kushtet dhe shërbimi, por edhe trajtimi i të sëmurëve ka lënë për tu dëshiruar deri në daljen e shumë të sëmurëve të rrezikshëm pa u shëruar qartë dhe të lënë të lirë në aspektin agresiv që ka çuar deri në krim. Tashmë psikiatriku i Shkodrës është një problem dhe ndoshta vizita e ministres, do të bëjë të mundur investimet e duhura dhe kalimin e këtij sektori në Spitalin Rajonal të Shkodrës në eficencë dhe kushte të mira, për ti shërbyer kryeqendrës së veriut që për më shumë se 25-së vite nuk ka pasur qoftë edhe investimin më të vogël për këtë spital të rëndësishëm.