E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër, Rama kërkon dosjet e pafajësisë

 

SHKODER – Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, kërkon hollësi nga organi i akuzës në Shkodër për dosjet kur është përfituar pafajësia. Ajo ishte e pranishme ditën e djeshme gjatë zhvillimit të analizës 1-vjeçare të Prokurorisë së Shkodrës. Kreu i prokurorisë së rrethit, Përparim Kulluri, nëpërmjet shifrave dhe fakteve ka bërë prezente punën e këtij institucioni, ndonëse nga ana e saj, kryeprokurorja nuk ka pranuar të bëjë komente apo të japë ndonjë vlerësim të saj gjatë kohës që media ishte e pranishme në sallë. Rama është mjaftuar me marrjen në hollësi të informacioneve në rastet kur të akuzuarit nga prokuroria e Shkodrës kanë marrë pafajësi. Gjatë raportit të tij Kulluri ka pohuar se gjatë këtij viti kanë përfunduar çështjet penale për 609 të pandehur. Prej tyre, 320 vetë janë gjykuar në gjendje të lirë dhe 31 me masë detyrimi arrest me burg, 84 me masë sigurimi detyrim paraqitjeje, 33 me masë sigurimi arrest shtëpie dhe 11 të tjerë me masë sigurie, garanci pasurore. Nga 5 kërkesa të prokurorisë për burgim të përjetshëm gjykata ka lënë në fuqi vetëm 2 raste, ndërkohë që nga 329 kërkesa për burgim, gjykata ka dhënë 229 vendime të tilla. Pas prezantimit të shifrave, analiza ka vazhduar me dyer të mbyllura.                r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›