Statuti, Ministria e Arsimit pingpong me universitetin
zirina llambro
Ligji “Për arsimin e lartë” përcakton statutin e universiteteve si dokumentin bazë të organizimit të tyre. Në të duhet të sanksionohen normat që rregullojnë veprimtarinë e institucionit. E ndërsa Universiteti i Tiranës, më i madhi në vend ka hartuar e miratuar një të tillë, dokumenti nuk mund të vihet në zbatim. Statutit i mungon firma e ministrit të Arsimit. E po t’i referohesh asaj çka realisht ka ndodhur duket tamam si një lojë ping-pongu të udhëhequr në mënyrën më të zgjuar nga Ministria e Arsimit. Por aspak në dobi të mirëfunksionimit të Universitetit të Tiranës. “Në gusht të vitit të kaluar pasi senati votoi statutin e Universitetit të Tiranës, ua dërgoi Ministrisë në mënyrë që të kontrollonte ligjshmërinë e tij. Në ligj ka një klauzolë, që në rast se MASH brenda dy muajsh nuk kthen përgjigje, atëherë rektori e shpall statutin automatikisht të miratuar. Dymbëdhjetë orë përpara se të skadonte ky afat ministria solli shkresën me një sërë vërejtjesh”, sqarojnë burime të sigurta nga Universiteti i Tiranës. Sipas tyre, pasi vërejtjet u morën parasysh dhe u pasqyruan në statut ai u dërgua sërish në ministri. Reagimi ishte po i njëjtë. “Fiks 12 orë para se të skadonte afati prej 2 muajsh dhe statuti të hynte në fuqi disa ditë më parë në ka ardhur një tjetër shkresë nga ministria, e cila ka vërejtje të reja, të pashprehura që në fillim. Disa prej tyre madje aspak normale”, pohojnë burimet. Për ta kjo nuk është një marrëdhënie normale institucionale, por po kthehet në një lojë. “Ky lloj letërkëmbimi, nëse mund ta quajmë kështu, mund të vazhdojë pambarimisht, por ndonëse nuk ka shkelje të hapur të ligjit, nuk është aspak në funksion të zbatimit të tij. Pasi një institucion i arsimit të lartë nuk mund të funksionojë siç duhet pa një statut ashtu si çdo institucion tjetër që i ka të mirëpërcaktuara rregullat e tij. Nuk e dimë ende ku do të dalë Ministria e Arsimit me këtë që po bën”, theksuan burime të sigurta nga UT.