E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, Vllaznia reagon ndaj FSHF për çështjen "Shtubina"

SHKODËR- Klubi i futbollit Vllaznia e quajti absurd vendimin e Komisionit te Apelit në Federatën Shqiptare të Futbollit për anullimin e vendimit të Komisionit të Disiplinës ndaj futbollistit shkodran Ndriçim Shtubina, të cilit në fillim të javës iu fal kartoni i kuq.
"Është absurde të mendosh se vendimi i marrë nga Komisioni i Disiplinës për heqjen e kartonit të Shtubinës, u apelua nga Sektori i Garave pranë FSHF-së, kur edhe vetë sekretari i kësaj Federate, Prodani, është shprehur publikisht në media se vendimi për heqjen e këtij kartoni ishte i bazuar në rregullore," thuhej në një deklaratë të klubit për mediat.
Përveç rastit të Shtubinës, në deklaratan e klubit kuqeblu thuhet se Apeli ka gabuar me çështjen e futbollistit Ervis Kraja që u largua nga Vllaznia në fillim të muajit janar.
"Me këtë lojtar, klubi Vllaznia ka patur një marrëveshje për prishjen e kontratës së firmosur nga të dy palët e ku thuhej qartësisht se lojtari në rast se vendos të luajë në Shqipëri, nuk mund të luajë në ndeshjet kundër Vllaznisë ose përndryshe i detyrohet klubit tonë shumën e 5 mijë eurove," thekson deklarata.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›