E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritero Agolli:Demonstrata tundishtetin që vrau njerëzit

TIRANE-Shkrimtari i madh Dritëro Agolli nuk ka mundësi të jetë gjithë kohës prezent në media me mesazhet e tij për shkak dhe të gjendjes shëndetësore. Por nuk mund të rrijë i heshtur ndërkohë që në demostratën e 21 janarit, tre demostrues të opozitës (sikurse është edhe ai vetë, opozitar) u vranë dhe shumë të tjerë nga të dy palët u plagosën. Gjatë një bisede telefonike, Dritëro Agolli tregon se gjithçka e ka zanafillën në fjalorin e ashpër të kryeministrit në Kuvendin e Shqipërisë disa ditë para demostratës.
Dritëro, jepini lexuesit të Gazeta Shqiptare një mendim për atë që po ndodh në Shqipëri. Për atë që ndodhi në 21 janar...
Unë i kam të turbullta të gjitha. Të presim...Unë jam kundër vrasjeve. Në demostratën tjetër, a protestën, apo grevën, nuk duhet të vriten njerëz, sepse këta janë shqiptarë. Por, duhet të dëgjohen ndërkombëtarët. Nuk është Shqipëria një shtet i pushtuar si në kohën e pushtimit fashist në Korçë, që të gjithë e mbajnë mend nga historia jonë, ku u bë demostratë e madhe dhe u vranë 150 vetë nga ata që kishin dalë atje.
Kështu që atëherë në atë kohë, ishte e justifikueshme kjo gjë, sepse në demostrata, luftonim kundër pushtuesve fashistë. Por tani shteti ynë, demokratik, (apo jo?), nuk duhet të përdorë metodat e fashistëve.
Kemi pasur edhe ndryshimin e regjimit në '90...
Po, në kohën kur ra regjimi socialist, kur u hodh monumenti i Enver Hoxhës, nuk u vra ndonjë njeri. Ndërroi një sistem i tërë dhe nuk u vra njeri. Atëherë, në atë kohë, unë isha në Komitetin Qendror dhe ka pasur zëra që u ngritën dhe thanë se duhet të merrnim armët. Por kjo u hodh poshtë nga ne të gjithë që ishim aty, duke më përfshirë mua, mbaj mend Muntaz Dhramin, Marash Hajatin, Mehmet Elezin dhe të tjerë, dhe ne u ngritëm dhe thamë se nuk duhet të bëhet kjo gjë. Madje edhe vetë Ramiz Alia, ishte kundër kësaj iniciative për të qëlluar me armë. Edhe atëherë pra, që u bë haptazi ndërrim sistemesh nuk ndodhi gjë.
Po kryeministri Berisha e ka konsideruar një puç ndaj shtetit...
E kam dëgjuar këtë nga këta shtetërorët, pra që ajo demostratë ishte një puç. Puçi shtetëror bëhet brenda, me gjeneralë e deputetë. Kurse ata aty, në 21 janar ishin demostrues. Këta, nuk mund të bënin puç. Kurse në 1998, na kujtohet sesi u bë situata, që u morën disa institucione, madje edhe Televizioni Publik Shqiptar, edhe kati i parë i kryeministrisë...Dhe u ngrit njëri nga këta dhe të tjerë që ju i dini tashmë, që thanë në atë kohë se "shteti ra", se "qeveria ra", "tani jemi ne në pushtet". Ja, ky ishte grusht shteti. Madje atëherë, asnjë masë nuk u mor. Cili nga ata u akuzua dhe u dënua, biles, faji iu hodh të tjerëve. Iu hodh ish-prokurorit të Përgjithshëm, Arben Rakipit, dhe u hoq nga detyra e tij. Dhe në atë kohë u bë një katrahurë.
Ndërsa sot, u hap vetëm një derë, që e hapën vetë atje. Pastaj, se e lexova në gazetën tuaj, ku ka një logjikë të tillë që "na mbaruan fishekët e gomës dhe tani do të përdorim fishekët origjinalë"? Po a mund të bëhet kjo? Që nga ana logjike nuk funksionon. Po pse nuk more më shumë fishekë gome? Mbushje nja dy torba me fishekë gome që t'i kishe rezervë aty. Ai thotë se i mbaruan. Domethënë, e thonë vetë ata, nuk e thonë demostruesit.
Por demonstrata nuk ishte paqësore...
Po, pastaj edhe nga ana tjetër demonstruesit mund të ishin organizuar më mirë. Kjo është një anë tjetër. Mbase se nuk kishin eksperiencë dhe nuk e dinin se çfarë mund të ndodhte, por duhej një organizim më i mirë.
Dritëro, ka komente që thonë se situata po fillon të ngjasojë me vitin e mbrapshtë 1997....
Jo, jo, nuk besoj, sepse Shqipëria është sot në NATO, është më e kontrolluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga vetë Bashkimi Evropian. Ma merr mendja që këto organizma të fuqishëm do të ndërhyjnë për të zgjidhur situatën.
Por vetëm një gjë kam unë për të thënë: që demonstratat, protestat, janë pjesë e demokracisë. Kështu që Evropa dhe nga këto që kam dëgjuar në televizion, që të mos ketë demonstrata dhe protesta në Shqipëri, ata na e ndajnë Shqipërinë nga Evropa. Vizat na i dhanë, e na bënë baraz; na futën në NATO, e na bënë baraz. Po tani na thonë: "ju rrini sus, e mos bëni demonstrata". Aty ku ka një varfëri të madhe të popullit, njerëzit do të protestojnë. Por duhet të kenë kujdes për çështje dhune, dhe të ketë demostrata dhe protesta aq të forta, sa të mbledhë mendjen qeveria. Pa hyrë brenda ndërtesave, sepse, dhe pa hyrë brenda ndërtesave dhe institucioneve, qeveria diskretitohet. Se do thotë Evropa dhe bota: "more këta shqiptarët po bëjnë gjithmonë demonstrata. Çfarë ka në këtë vend?"
Nëse bëhet një shtrëngim i tillë, që të mos lejojnë demonstrata, është më keq, se bëhet si në kohën e Pinoçetit. Atëherë detyrohet vetë Amerika ta rrëzojë këtë pushtet... Se Amerika e përkrahu në fillim Pinoçetin...Por përkrahu edhe Sadam Huseinin kur ishte lufta me Iranin. Pastaj e rrëzoi... Por përkrahu edhe Bin Ladenin. Po pastaj ç'bëri? Domethënë, ne duhet të mësojmë nga kjo eksperiencë. Mund të përkrahë një njeri të lavdishëm në Shqipëri dhe pastaj të thotë "jo, ta bëj si Pinoçeti". Kështu që ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm vetë si shqiptarë dhe të mendojmë cila është mirë dhe cila është keq. Populli ynë nuk i dëshiron demonstratat edhe gjërat që bëhen të dhunshme brenda vendit, një shteti të pavarur që nuk ka pushtues. Ne, në kohën e fashizmit bënim demonstrata dhe vriteshin atëherë. Por ka kaluar ajo kohë. Nëse i mungojnë plumbat prej gome atij oficerit, apo policit, ai le të grisë opingat e veta dhe t'i verë nga ato të këpucëve, por jo të qëllojë me plumba të vërtetë.
Kanë lidhje ngjarjet në Shqipëri, destabilizimi në vend, me atë që po ndodh në Kosovë me akuzat kundër kryeministrit atje?
Nuk besoj. Është tjetër, ajo gjë. Sepse ka katër- pesë vjet me këto akuza. Dhe unë nuk besoj dot se në Shqipëri të ketë të tilla laburatore që të bëjnë transplante. Këtu gratë dhe vajzat mezi bëjnë thonjtë që t'i rrisin a si i bëni ju të rinjtë e jo më transplant organesh.
Po si zgjidhet situata? A duhet të ulen Rama e Berisha në tryezë?
Unë mendoj që dialogu gjithnjë është i dobishëm. Sepse pa dialog nuk mund të ndodhë as ajo që pretendojmë ne opozitarët, se edhe unë veten time aty e fus. Dhe duhet të mendojmë më shumë, se, gjithë këto pasoja që erdhën me dhunën fizike, janë pasoja të dhunës së fjalës. Pra, kanë ardhur nga Parlamenti. Të gjitha ato gjëra të Parlamentit, ishin fjalë abstrakte që nuk i zije dot me dorë, se fjala nuk zihet dot me dorë, zihet nga veshi. Kurse në demonstratë, u zunë me dorë. Dhe po të vazhdojnë me parlament të tillë, do të vazhdojnë demonstrata të tmerrshme që edhe Ballkani do çuditet...Pra, po të bëhet Parlamenti i tillë, siç ulërijnë dhe siç thonë: "ti ke qenë horr", "ti ke pasur gruan kështu"..."djali yt është bastard, se ka lindur nga yt atë"... Nëse vazhdon kështu, këtu do të bëhet batërdia më e madhe. Dhe as Kasem Babai s'ka ç'i bën, ai i Baba Tomorit. Bile, as i famshmi Abaz Ali nuk ka ç'i bën. Se unë rrjedh nga familje bektashie dhe i ndjek këto. Po s'u bë një qetësi në parlament, fjala e dhunshme do të çojë në dhunën fizike. Ai që vret me fjalë, vret më shumë, sesa fizikisht. Se fizikisht, vret një njeri, kur se fjala vret një turmë të tërë.
Dritëro, e zgjidhin zgjedhjet e parakohshme këtë situatë?
Zgjedhje të parakohshme, unë them se edhe ato janë demokratike, nëse janë pjekur kushtet edhe ato mund të bëhen. Nëse do shkojë puna gjithmonë kështu, ne do shkojmë gjithmonë drejt greminës.
Ke ndonjë apel për demonstratën e të premtes? Eshtë konfirmuar mbajtja e saj...
Nuk kam ndonjë apel. Vetëm atë të Amerikës. Por kjo ishte e para protestë apo demonstratë, si të doni ta quajmë që e lëkundi shtetin. Demonstratat e tjera që bënin këta, apo dhe protestat, nuk ishin demonstrata. Ato ishin mitingje për mburrjen e PS që kjo do të bëjë këtë e atë, kur të vijë në pushtet, pra do t'ju japë mirëqënien. Kjo, është e para demonstratë e vërtetë që lëkundi gjithë rrënjët e pushtetit dhe këto janë demonstrata të vërteta. Keqardhje e madhe që mos vriten njerëz, por ata u vranë nga dëshpërimi i pushtetit. Kjo nuk është si ato të tjerat që dilte ndonjë përfaqësues i PS dhe bënte disa fjalime, disa me letra, disa pa letra, "ne jemi kundër", "o hapni kutitë, ose do hyjmë ne brenda kutive". Ato ishin hartime nxënësish. Kjo është e para demostratë. Po të dojë shteti, t'i mbajë në shpinë, po të dojë, mos t'i mbajë.
Kjo është demostrata më e mirë që është bërë deri tani nga socialistët. Demostratat e tjera janë bërë si mitingje, kjo është demostratë që lëkundi dicka. Por sikur të kontrollohej më mirë nga drejtuesit e kësaj demostrate, do të dilte më fisnike dhe nuk do të kalonte në dhunë dhe më e pranueshme nga opinioni njerëzit.
(Intervista eshte botuar dje ne Gazeta Shqiptare)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›