E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, Xhamia e Plumbit do rikonstruktohet

31/03/2011  Me fondet e shtetit kuvajtian

SHKODER- Monumenti më i vjetër historik i Komunitetit Mysliman në Shkodër, Xhamia e Plumbit, e vetmja xhami që shpëtoi nga shkatërrimi që sistemi totalitar i bëri objekteve të kultit në vitin 1967, do të rikonstruktohet tërësisht. Investimi për këtë xhami do të realizohet me fondet e shtetit kuvajtian, përfaqësuesit e të cilët zhvilluan ditën e mërkurë një takim me drejtuesit e Bashkisë së Shkodrës dhe Myftinisë së këtij qyteti. Gjatë këtij takimi zyrtarët e lartë nga Kuvajti u njohën me problemet e mëdha që ka Xhamia e Plumbit, të shkaktuara nga vërshimet e herëpashershme të ujërave të lumit Drin dhe sidomos gjatë përmbytjeve të vitit të kaluar. Kryetari i Bashkisë së Shkodrës u shpreh se është gati projekti për rikonstruksionin e kësaj xhamie me vlera jo vetëm fetare, por dhe historike e kulturore. Nisur nga këto vlera Bashkia e Shkodrës kishte kohë që mendonte për një ndërhyrje të plotë, ndaj kishte hartuar dhe projektin përkatës, por mungesave e fondeve kishte bërë që projekti të mbetet pa u zbatuar. Delegacioni zyrtar nga Kuvajti shprehu dëshirën për financimin e rikonstruksionit të plotë të kësaj xhamie, por edhe të objekteve të tjera me vlera që kishin nevojë për ndërhyrje dhe ofroi mbështetje për projekte dhe iniciativa të Bashkisë së Shkodrës në interes të komunitetit. Delegacioni zyrtar nga Kuvajti u shpreh dhe për investimin e një tjetër projekti të rëndësishëm që ka të bëjë me hapjen e muzeut dhe bibliotekës me libra të Sheh Nastradin Alban. Investimi u vlerësua i rëndësishëm asi Sheh Nastradin Alban, i ndarë nga jeta tre vite më parë në Siri, është një nga figurat më të vlerësuara sidomos për vlerat e librave të tij në shërbim jo vetëm të Komunitetit Mysliman.

Xhamia e Plumbit ndodhet në hyrje të qytetit të Shkodrës, në pjesën e prapme të kalasë “Rozafa”, në një lagje të vjetër të këtij qyteti. Kjo xhami, një ndër të paktat që ka mbetur nga trashëgimia e mrekullueshme historike –kulturore e qytetit të Shkodrës, është një monument historik me një bukuri të veçantë, jo vetëm i lagjes “Tabakë” ku shtrihet ajo, por unik në llojin e saj në Shkodër e në mbarë vendin tonë. Ajo është një ndërtesë madhështore e artistike e ndërtuar në një përpunim të stilit arabo-turk, në vitin 1773, vit i cili është i gdhendur mbi një pllakë guri sipër portës së xhamisë, sipas viteve të Hixhrit(kalendarit të vjetër). Në këtë pllakë që ka mbetur si dokument i kohës së ndërtimit të xhamisë, janë të shkruara fjalët: “Viti 1187 Hixhri”. Xhamia e Plumbit me 20 kupolat e saj ka tërhequr gjithmonë interesimin e vazhdueshëm të vizitorëve dhe sidomos atyre të huaj, të cilët, sipas banorëve të lagjes “Tabakë”, kur vinin përsëri për ta parë, shpreheshin se kjo ndërtesë e lashtë të rrëmben aq shumë, sa të merr një mall i papërmbajtshëm për ta vizituar përsëri. V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›