E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, akuza: Militantët pranë qendrave të votimit

 

Është konsideruar normal procesi zgjedhor në Shkodër, ndonëse nuk kanë munguar mangësitë teknike, akuzat nga të dyja forcat e mëdha politike në garë, madje është regjistruar edhe një rrahje, që ka përfunduar me kallëzim penal. Kjo ka qenë situata e djeshme, për t’u përmbyllur me procesin e numërimit, i cili startoi rreth orës 01:00, por pa mundur të japë rezultatet e para.
Në fund të procesit të votimit, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në gjithë Qarkun e Shkodrës votuan 50% e votuesve. Thuajse në të gjitha qendrat, procesi i votimit nisi në orën e parashikuar, në 07:00. Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli ka votuar rreth orës 09.30 tek qendra e votimit pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, ku ka bërë apel për pjesëmarrje masive të njerëzve në votim.
Por pavarësisht thirrjeve të politikanëve të të gjitha palëve, nuk munguan problemet. Mangësitë që janë vënë re gjatë procesit zgjedhor në këtë qark, konsistonin në ndërrimin e komisionerëve të qendrave të votimit dhe pajisjen me dokumentacionet përkatëse të personave që merrnin detyrën. Qysh në mëngjes, përfaqësues të Partisë Socialiste kanë denoncuar cilësinë e dobët të bojës së përdorur, duke pretenduar se ajo fshihet lehtë. Një pretendim ky, i ngritur jo vetëm në Shkodër, por edhe në qarqe të tjera të Shqipërisë. Sipas kandidatëve për deputetë të PS dhe drejtuesve të saj, ky fakt ishte evident dhe rrezikonte të prishte imazhin e zgjedhjeve. Mbi këtë pretendim, rreth orës 11.00, në qendrat e votimit nr. 267 dhe 268 në qytetin e Shkodrës, tek universiteti, janë larguar komisionerët e majtë. Me ndërhyrjen e anëtarëve të KZAZ, si dhe të vëzhguesve të ODIHR-it, ka rinisur procesi i votimit, ndonëse në njërën prej tyre me 90 minuta vonesë.
Ndërsa përfaqësuesit e Partisë Demokratike denoncuan përdorimin në disa qendra votimi, në qytetin e Shkodrës dhe në Bushat, të aparaturave të kontrollit të vërtetësisë së kartave të identitetit, në një kohë kur ligji nuk e parashikonte një veprim të tillë. Probleme ka paraqitur dhe qendra e votimit në Juban, ku procesi është ndërprerë disa herë për mungesë fletësh votimi dhe më pas rezultonte se numri i tyre ishte më i madh. Pas shumë ndërhyrjesh, procesi i votimit në këtë qendër është ndërprerë fare. Një tjetër shqetësim që është vënë re gjatë ditës së djeshme ishte edhe prania e militantëve të dy forcave kryesore, pranë qendrave të votimit. Këtë shqetësim e ka ngritur kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, sipas të cilit këta njerëz po ushtronin presion mbi njerëzit që shkonin për të votuar. Rasti më i rëndë është regjistruar në Bushat, ku një sherr banal mes dy kushërinjve çoi deri në rrahje. Ndërkaq, nuk u shfaqën probleme as në qendrën 242, në fshatin Vreithë, të rrethit të Pukës, ku u dogjën materialet zgjedhore, por që u zëvendësuan gjatë natës së të shtunës. Për të përballuar dhe menaxhuar mbarëvajtjen e fushatës parazgjedhore dhe të ditës së votimit, Policia e Qarkut të Shkodrës angazhoi 700 efektiva.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›