Lezhë, numërimi i kutive të para, përparësi PD-ja
LEZHE - Në qarkun e Lezhës votuan mbi 50 për qind e zgjedhësve, ndërsa procesi vijoi gjatë gjithë ditës normal, pa ndonjë incident të rëndë. Nga të dhënat e para, në dy qendra votimi kishte përparësi PD-ja. Ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të dalin vetëm në ditën e sotme. Numri i votuesve për qarkun e Lezhës ishte rreth 150 mijë. Gjatë votimeve në këtë rreth nuk janë konstatuar probleme. Në Kurbin kanë votuar rreth 50 për qind e zgjedhësve. Edhe në këtë rreth, përgjithësisht votimet kaluan të qeta dhe pa incidente. Pranë dy qendrave të votimit në Milot ka pasur një banderolë, ku u bëhej thirrje votuesve që të votonin numrin 10, fare pranë qendrave të votimit. Po kështu edhe në tre qendra votimi në Sanxhak kishte postera të subjekteve të ndryshme politike, gjë që bie ndesh me ligjin. Gjithashtu, në Shullaz të Milotit, sekretar i qendrës ishte një punonjës i policisë komunale të kësaj Komune. Në Mirditë numri i atyre që duhej të votonin ishte 26,756 zgjedhës. Zgjedhjet në Mirditë janë monitoruar nga një grup prej 4 vetash të OSBE-së. Sipas kryetarit të komisionit, Frrok Doda, fondet për infrastrukturën dhe transportin e tyre kanë qenë të pamjaftueshme, duke sjellë edhe vështirësi në transportin e tyre. Gjatë votimeve nuk janë shënuar probleme apo incidente, duke kaluar kështu gjithë dita e votimit e qetë. Policia në të katër rrethet ka qëndruar korrekte, larg qendrave të votimit.