Korçë, në 30 kutitë e para PS fituese
KORÇE - Në qarkun e Korçës procesi i votimit kaloi normalisht me pjesëmarrje masive. Qytetarët pritën gjer në orët e para të mëngjesit në pritje të rezultatit, i cili pritet të jepet zyrtarisht vetëm ditën e sotme. Numërimi filloi rreth orës 23:30, ndërsa gjer rreth orës 02:30 ishin numëruar vetëm 30 kutitë e para, në të cilat PS-ja kishte marrë 55.9 për qind të votave, ndërsa PD-ja 41.53 për qind. Në 433 qendra votimi, prej të cilave në Korçë 221, në Pogradec 104, në Kolonjë 57 dhe në Devoll 51, numri i zgjedhësve në lista ishte 268 mijë votues. Komisionet zbatuan orarin e hapjes së qendrave të votimit, ndërsa mbyllja e procesit zgjedhor u bë në përputhje me ligjin e zgjedhjeve. Në orën 18.50 dy forcat kryesore politike deklaruan pjesëmarrjen e zgjedhësve. Sipas PD-së, shifra arriti në 50.5 për qind, ndërsa dega e PS-së deklaroi shifrën e 46.4 për qind. Në fakt, në zgjedhjet e pushtetit vendor, të zhvilluara dy vjet më parë, pjesëmarrja në votime ishte vetëm 39 për qind në qarkun e Korçës. Dje në Kolonjë pjesëmarrja e votuesve arriti në 51.5 për qind, në Devoll 53 për qind, ndërsa në Pogradec 50.3 për qind. Procesi zgjedhor, edhe pse pati disa mosmarrëveshje të vogla mes komisionerëve brenda qendrave të votimit, kaloi normalisht. Zgjedhjet, siç u shrehën vëzhguesit e partive politike por edhe ata të huaj, shkuan të qeta. Duhet theksuar se në të gjitha rastet e mosmarrëveshjeve të komisionerëve, asnjëherë nuk degraduan në konflikte. Në katër apo pesë qendra votimi pati edhe ndërprerje të votimit për disa minuta deri në gjysmë ore, kur u vunë re parregullsi. Kështu në dy raste votimi u ndërpre, sepse u konstatuan se dy votues filluan të filmonin mënyrën e votimit në qendrat përkatëse dhe fletën e votimit. Në një qendër tjetër nuk përputhej numri i votuesve me atë të fletëve të votimit, çka kushtëzoi ndërprerjen për të verifikuar gjendjen. Pas një numërimi të kujdesshëm u vërtetua se gjithçka ishte në rregull, ku më pas vazhdoi votimi normalisht. Në fshatin Memlisht të Pogradecit një komisioneri të PS-së iu kap dhe iu bllokua një stilolaps, që kishte pajisjen që verifikonte nëse kartat e identitetit ishin të rregullta. Komisionerët e huaj pohuan se në qytet, veçanërisht në Korçë, zgjedhësit reflektuan kulturë, qetësi dhe maturi. Ndërsa një nga incidentet që u konsiderua edhe më i rëndi ishte plagosja e një 68-vjeçari në fshatin Sul të Devollit. Në momentin që ka dalë nga qendra e votimit numër 4001, Halil Pajo, është sulmuar prej dy bashkëfshatarëve të tij Eduart Hyska dhe Mentor Hajdërlli. Policia tha se ngjarja ka ndodhur rreth 150 metra larg qendrës së votimit, ndërsa u shpallën në kërkim autorët e këtij incidenti.
Edhe kandidatët për deputetë apo drejtues të forcave politike në raste të veçanta janë afruar pranë qendrave të votimit, gjë që nuk e lejon ligji, por që nuk ka penguar zhvillimin normal të votimit. Pas mbylljes së kutive të votimit u veprua për transportimin e kutive në qendrat e numërimit. Ato u shoqëruan nga komisionerët dhe policia. Të grumbulluara në 6 vendet e numërimit të votave, këto kuti u administruan nga anëtarët e Komisioneve Zonale të administrimit zgjedhor dhe më pas filloi numërimi i tyre. j.gj