E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, asgjesohen 723 rrënjë hashash

723 rrënjë bimë narkotike kannabis sativa u identifikuan dhe asgjesuan sot nga policia e Shkodrës në komunën e largët të Pultit, në zonën e Dukagjinit. Burime pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër thanë se si rezultat i kontrollit të bërë nga toka dhe nga ajri, përmes helikopterëve të vënë në dispozicion nga Ministria e Brendshme, në fshatin Xhan të komunës së Pultit u konstatuan disa parcela me bimë me karakteristika të ngjashme me ato narkotike cannabis sattiva, të cilat u korrën dhe më pas u dogjën. Specialistët e Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë Qarkut Shkodër, që po operojnë në terren në bashkëpunim me forcat e Komisariatit të Policisë Shkodër dhe Repartit të FNSH-së Shkodër, bënë të ditur se parcelat me rrënjët cannabis sativa në komunën e Pultit janë gjetur në terrene të pyllëzuara dhe shumë të thyera, të cilat rezultojnë të jenë pa pronar legjitim.
Megjithatë, uniformat blu, duke shfrytëzuar edhe kontaktin me banorët e fshatrave të kësaj komune, si dhe të drejtuesit e njësive vendore dhe kryepleqve, po grumbullojnë informacionet e duhura për të gjetur autorët e vertetë të mbjelljes dhe kultivimit të këtyre bimëve dhe për t'ia dorëzuar më pas drejtësisë për hetime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›