E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, banorët: Asfaltimi i rrugës vetëm premtim elektoral

SHKODËR- Ka mëse 8 vite që banorëve të lagjes Mark Lula në periferi të qytetit të Shkodrës u premtohet shtrimi dhe asfaltimi i rrugës, por kjo ka mbetur vetëm një premtim elektoral.

Gropat e mëdha me ujë shoqërojnë cdo ditë rrugëtimin e banorëve dhe fëmijëve të kësaj zone për të shkuar në shkollë.

Banorët tashmë të lodhur nga premtimet e parealizuara këkrojnë të merren masa të menjëhershme për shtrimin e rrugës., pasi problemi kryesor i tyre mbete kalimi i fëmijëve përmes kësaj rruge, sidomos gjatë ditëve me shi.

“Na kanë thanë se do na e rregullonin edhe kur u bo mitingu me Jozefina Topallin, e cila na premtoi se do na e ndërtonte këtë rrugë, se do ta bënë, por tani kjo rrugë është e mbushur plot me gropa, plot me ujë dhe nuk ka ku të kalojë as plaku dhe as i riu nuk ka ku të kalojë asnjeri”,- deklaron i revoltuar një banor i kësaj zone.

“Premtime kemi boll dhe agjë nuk duket. Kjo rrugë është në interes të gjithë popullit dhe jo vetëm për lagjen tonë, të paktën mos të na gënjejnë të paktën si fëmijë me karamele vetëm për votën, pasi ne votim do ja japim”,- thekson një banor tjetër i lagjes.

“As kanë filluar punimet, vetëm sa kanë shembur disa gjëra kot të cilat janë shembur gabim madje. Ne nuk kemi se cfarë të bëjmë. I kam parë gratë që shoqëronë tek shkolla fëmijët, të cilët i mbajnë fëmijët në shpinë për ti cuar tek shkolla, me xhizme mbathur pasi nuk kanë ku të kalojnë”, - deklaron i nervozuar banori i lagjes Mark Lula në Shkodër.

Lagjia Mark Lula ndodhet vetëm pak metra larg qytetit të Shkodrës dhe popullohet nga banorë të ardhur nga zona të thella malore.

(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›