E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, bie niveli i ujit. 5 850 ha tokë nën ujë

Shtabi i Emergjencave në Shkodër raporton për rënie të nivelit të ujit me 20 cm. Moti i qëndrueshëm dhe pa reshje ka ndikuar në përmirësimin e gjendjes në zonat e përmbytura të këtij qarku. Sipas të dhënave të fundit sipërfaqja e përmbytur llogaritet 5 850 ha tokë së bashku me 74 shtëpi, ndërsa 805 të tjera janë të rrethuara nga uji. Numri i të evakuuarve nga zonat që paraqesin rrezik ka shkuar në 308. Ata janë strehuar përkohësisht në kampingjet e ngritura ose tek të afërmit. Shtabi njofton se të gjitha zonat e prekura furnizohen rregullisht me energji elektrike.

Ndërkaq komunikimi me komunën e Dajçit të Bregut të Bunës, pjesë e së cilës janë disa fshatra problematike po bëhet përmes tokës me mjete të tonazhit të lartë, ç'ka po lehtëson punën e struktuarave të ushtrisë në ndihmë të banorëve të rrezikuar. Problem mbetet aksi rrugor i komunës Velipojë, ku në zonën e Urës Dëdë Gjo Lulit, niveli i lartë i ujit nuk lejon kalimin e automjeteve.
Ende i bllokuar nga ujit mbetet totalisht fshati Obot i komunës Ana e Malit, ku komunikimi vazhdon të bëhet me mjete lundruese, ndërkohë që vihet një ulje e lehtë e nivelit të ujit mbi aksin rrugor Oblikë-Obot, ku me vështirësi kalojnë mjete të ushtrisë të tonazhit të lartë.

Ndërkaq, forcat e ushtrisë dhe Bordit të Kullimit vazhdojnë punën intensive në përforcimin e argjinaturave në zonat më problematike në komunat Bushat, Dajç, Velipojë, Guri i Zi, Ana e Malit dhe Berdicë.

Elona Gjylmi < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›