E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, ceremoni për varrimin e të pushkatuarit

Nga varrimi i Tom Ndojës

SHKODER – Është përcjellë për në banesën e fundit Tom Ndoja, i burgosuri i diktaturës dhe i pushkatuar në vitin 1984. Aktivitetet në nder të Ndojës nisën me hapjen e ceremonisë mortore në fshatin Juban, ku banon i vëllai dhe më pas janë vazhduar me meshën e shenjtë dhe rivarrimin e eshtrave 27 vjet pas vrasjes, në varrezat e Rr’Majit. Tom Ndoja u vra në vitin 1984 gjatë revoltës së burgut të Qafë-Barit, në rrethin e Pukës. Tashmë, eshtrat e këtij martiri, siç e quajtën bashkëvuajtësit si dhe përfaqësuesit e pushtetit vendor të Shkodrës, mund të prehen të qetë në varret familjare, tek varrezat Katolike të Rr’ Majit. Për vëllain e Tom Ndojës, Zefin, kjo është dita më e trishtueshme, por njëkohësisht më e lumtur në jetën e tij, pasi tani eshtrat e vëllait të tij prehen në një varr, i cili ka 27 vite që e pret këtë moment nderi dhe respekti që i bëhet çdo njeriu. Pajtim Lamja nga Vlora, bashkëvuajtës në burgun e Qafë-Barit, duke risjellë në kujtesë ditët e asaj revolte, ka pohuar se ato ditë kanë qenë ditët më të tmerrshme të Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, të cilët u keqtrajtuan në mënyrat më çnjerëzore. Vetëm një javë më parë, pas 27 vitesh kërkim, është bërë e mundur gjetja e eshtrave të Tom Ndojës dhe të Sokol Sokolit, kjo falë skicës së vënë në dispozicion nga Ministria e Brendshme, me ndihmën e Institutit të të Përndjekurve Politikë, si dhe të topografit të Bashkisë Shkodër, i cili, duke iu referuar skicës së Ministrisë, arriti të përcaktojë saktë vendndodhjen e varreve.          r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›