Shkodër, dy familje në Sukë të izoluara nga uji prej 3 ditësh
Autori i Lajmit: Redaksia
Familja e Hilë Nicës është një nga familjet të cilat ende nuk janë evakuuar nga zonat e përmbytura të Nënshkodrës. E kontaktuar me telefon për medien, gruaja e kësaj familjeje, e cila banon në fshatin Sukë të Dajçit tregon se së bashku me një familje tjetër ndodhen prej tre ditësh të izoluar nga uji dhe kërkojnë ndihmë për tu evakuuar. “Jemi të përmbytur prej 3 ditësh. Niveli i ujit është mbi 1 metër dhe deri tani askush nuk ka ardhur të na ndihmojë për tu evakuuar. Ju lutemi na ndihmoni, jemi me pleq dhe fëmijë”. Ky është apeli që gruaja e familjes Nicë nga fshati Sukë e Dajçit. Ajo dëshmon se prej tre ditësh asnjë person, apo ushtarak nuk është drejtuar nga banesa e tyre për ti ndihmuar të evakuohen, ndërkohë që në banesën e tyre përdhese uji tashmë ka kaluar mbi 1 metër.
Shkodër, përkeqësohet
gjendja edhe brenda qytetit
Situata e përmbytjeve po përkeqësohet edhe brenda Shkodrës. Lagjet e pozicionuara pranë liqenit të këtij qyteti, po mbushen me ujë gjithmonë e më shumë nga ora në orë. Në zonën e Livadheve është mbuluar 250 ha tokë, me një nivel që arrin deri në 120 cm. Këtu gjenden mbi 100 shtëpi të përmbytura. Banorët janë larguar për tu strehuar tek të afërmit e tyre, në vende më të sigurta, ndërkohë që kryefamiljarët nuk janë larguar nga banesat, me qëllimin për ti ruajtur ato nga vjedhjet. Ndonëse gjatë kësaj dite reshje nuk ka pasur, niveli i liqenit është në rritje. Kjo ndodh për shkak të pengesës së shkarkimit të ujit nga liqeni përmes lumit Bunë, i cili pengohet nga rrjedhja e fuqishme e Drinit.
Gjakova hap dyert
për shkodranët
Me nismën e një grupi të qytetarëve të Gjakovës, ky qytet ka ofruar mikpritje për 200 familje të prekura nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës. Lajmin e ka konfirmuar kryetari i komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, i cili ka thënë se grupi i qytetarëve që ndërmori këtë nismë, por edhe i gjithë qyteti, është i gatshëm për të ofruar gjithë ndihmën e mundshme për rajonet e goditura në veri të Shqipërisë. Dje, komuna e Gjakovës kontribuoi me 10 mijë euro për të goditurit nga përmbytjet në Shkodër.
Obot, vazhdon
evakuimi i banorëve
Në fshatin Obot, një nga fshatrat më të dëmtuar nga përmbytja, situata paraqitet e stabilizuar sot paradite. Në orët e para të mëngjesit reshjet e shiut, të shoqëruara me erë shirokë, krijuan valëzime në këtë zonë të përmbytur duke vështirësuar qarkullimin e gomoneve dhe mjeteve të tjera lundruese të vëna në dispozicion të evakuimit të banorëve. Evakuimi i banorëve të përmbytur të fshatit Obot po kryhet përmes një operacioni të mirëorganizuar të forcave të ushtrisë dhe policisë, nga ura e Sagjicës, që në pjesën e saj të djathtë mbretërohet nga ujërat e Drinit dhe të Bunës. “Vala e ujit ka rënë tashmë”, ka deklaruar kryekomisar Ridvan Bushati, duke shtuar se do të vazhdojë normalisht evakuimi i banorëve. Ai konfirmoi se 4 tonë e gjysmë ndihma ushqimore janë nisur drejt fshatin Pemëtar në ndihmë të banorëve të këtyre zonave. Pesë varka shpëtimi, me një kapacitet rreth 20 vende, janë vënë prej ditësh në dispozicion të banorëve, të cilët po evakuohen në ambientet e ofruara në qytetin e Shkodrës dhe në rrethinat e tij, si në hotel Turizmi, në repartin ushtarak të Renxit, por edhe tek të afërmit e tyre. Nga informacionet zyrtare mësohet se në Obot janë të rrezikuara të paktën 130 banesa. Në grup i KESH-it inspektoi një ditë më parë të gjitha linjat elektrike dhe kabinat, në mënyrë që të parandalojë çdo rrezik. Sipas të gjitha informacioneve të marra, në fshatin Obot nuk ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike.
Ky lajm është publikuar: 10/01/2010