Rinis qarkullimi në urën mbi lumin Drin
Autori i Lajmit: Redaksia
Rinis qarkullimi në urën mbi lumin Drin që lidh rrethin e Tropojë përmes Qafë Malit, pranë hidrocentralit të Fierzës. Ura u dëmtua dje për shkak forcës së madhe të shkarkimeve të fuqishme të ujërave nga porta 4 e hidrocentralit të Fierzës. Forca e ujit dëmtoi një këmbë të urës si dhe ka gërryer një zhavorrin, duke hapur një gropë me diametër 1.5 metra mbi urë. Një postbllok policie ndodhet në këtë zonë për tu ardhur në ndihmë të gjithë drejtuesve të mjeteve. Mësohet se gjatë ditës së djeshme është punuar pa ndërprerje deri në orët e pasdites nga punonjësit e firmës "Geci" për përforcimin e këmbës së urës së dëmtuar. Nga sa mësohet, shkarkimet nga kjo portë janë përgjysmuar dhe situata duket më e stabilizuar. Ndërkohë reshjet e dendura të shiut të cilat kanë nisur dje në mëngjes po vështirësojnë situatën në basenin e Fierzës. Policia një ditë më parë ndaloi qarkullimin e mjeteve të rënda mbi këtë urë. Vërshimi i ujërave nga portat e shkarkimit të digës së Fierzës e dëmtuan rëndë urën, e cila mësohet se dje është bërë e kalueshme.
Ky lajm është publikuar: 10/01/2010