Shkodër, ekzekutohet me armë 65-vjeçari
Shkodër-Një 65-vjeçar është ekzekutuar me armë në një fshat të thellë të rrethit të Shkodrës. Sipas burimeve të policisë, viktimë është shtetasi Prendush Podja, banor në Benë të Shllakut. Ende nuk dihen detaje rreth krimit, ndërkohë që policisë i është dashur kohë për të mbërritur në vendin e ngjarjes, pasi fshati është i largët.
Ngjarja ka ndodhur pasdite dhe të dhënat e para policore flasin për një grindje për motive pronësie. Sipas tyre i dyshuar është një bashkëfshatar me viktimën, me të cilin ai ka pasur një sherr për një rrugë kalimi.
“Krimi ka ndodhur në shtëpinë e autorit të dyshuar të ngjarjes. Viktima është qëlluar me armë zjarri dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme”- thonë burimet e policisë.
Policia është nisur për në vendin e ngjarjes dhe pritet të japë të tjera detaje, pasi të bëjë këqyrjen e vendin dhe të mbyllë ekspertizën.