Shkodër, ekzekutohet me armë zjarri 20 vjeçari,në pranga autori
Mbrëmjen e së enjtes policia ka regjstruar një tjetër vrasje në fshatin Bardhaj të Shkodrës, ku është ekzekutuar me armë 20 vjecari Gjin Guri dhe është plagosur vëllai i tij Xhevahir Guri. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga hetimet e para dyshohet se motiv i kësaj vrasje është gjakmarrja.
Sipas burimeve 20 vjecari se bashku me vëllain ka qenë duke u kthyer për në shtëpi ne momentin që i kanë zënë pritë dhe e kanë qëlluar në afërsi të shtëpisë së tij, ku ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa vëllai i plagosur.
Ndërkohë që uniformat blu në një hark kohor prej më shumë se 3 orësh nga vrasja kanë bërë të mundur dhe arrestimin e të dyshuarit si autor i krimit, shtetasin Lazër Lisi 20 vjec, ndërsa vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, e cila duket se ka motiv gjakmarrjen.
Sipas uniformave blu autori i vrasjes, njëkohësisht komshi me viktimat, ka qëlluar ndaj dy vëllezërve për të marrë gjakun e një vrasjeje të 5 viteve më parë me autorësi të xhaxhait të dy viktimave, vrasje që në atë kohë u cilësua për motive të dobëta.