Shkodër, ende disa fshatra të bllokuara
Gjatë 24 orëve të fundit në territorin e Qarkut Shkodër ka pasur reshje të dobëta shiu. Ndërsa dëbora vazhdon të mbajë të bllokuara disa fshatra malorë. Në rrethin Shkodër ngelen të bllokuara komunat Shalë dhe Shosh në akset e të cilëve vazhdohet të punohet. Ndërsa në rrugët komunale brenda komunave të mësipërme qarkullohet normalisht.
Në rrethin Pukë vazhdon të jetë e bllokuar vetëm komuna Iballë. Edhe në këtë rrugë vazhdon intensivisht puna nga ana e drejtorisë rurale të rrugëve për hapjen e saj. Të gjitha komunat e tjera janë të zhbllokuara në të cilat po punohet për hapjen e rrugëve komunale.
Në rrethin Malësi e Madhe ngelet i bllokuar fshati Vermosh. Në aksin e kësaj rruge po punohet nga pjesa e doganës Malit të Zi e cila është hapur 4 km në drejtim të fshatit Vermosh.
Lidhur me situatën shëndetësore sipas informacionit të Drejtorisë Shëndetit Publik gjatë 24 orëve të fundit në komunat Shosh, Temal Komuna Pult nuk ka probleme shëndetësore që kërkojnë transport. Në komunën e Shalës është realizuar transporti i një pacienti me probleme kardiake dhe pulmonare nga fshati Bregu i Lumit, për në spitalin rajonal, me rrugë ajrore. /A.Dushi/
