Shkodër, gjendet i vrarë 32 vjeçari, policia heton ngjarjen
>Një person është gjetur i vrarë dje në rrethinat e Shkodrës, ndërkohë që policia ka nisur menjëherë hetimet rreth vdekjes së tij. Policia e qytetit të Shkodrës është sinjalizuar dje mbasdite nga banorë të zonës se kanë gjetur një trup të pajetë në fshatin Mnel. Pasi ka shkuar në vendngjarje, efektivët kanë këqyrur trupin e pajetë dhe kanë dalë në disa përfundime.
Nga dokumentet që mbante në trup u mundësua identifikimi i tij. Personi quhet Paulin Përgjini dhe është i moshës 32- vjeç. Në trup kishte plagë plumbash nga të cilat dyshohet se i është shkaktuar edhe vdekja. Policia ka përcaktuar dy pistat e mundshme të vdekjes së Përgjinit. E para është pista që 32- vjeçari të jetë vrarë për hasmëri nga persona ende të panjohur, kurse pista e dytë, që Përgjini të jetë vetëvrarë në kushte të thella psikologjike. Trupi i pajetë është dërguar në morgun e qytetit ku pritet të bëhet autopsia e plotë dhe më pas familjarët ta tërheqin atë për ti bërë formalitetet mortore. Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Për këtë policia e Shkodrës po merr në pyetje banorë të zonës për të mësuar më shumë rreth Përgjinit.