E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, i dështon atentati, vret veten 52 vjeçari

Një 52 vjeçar ka vrarë veten, pak minuta pasi ka tentuar të vrasë një tjetër person. Ahmet Et'hemi, 52 vjeç, banues në lagjen Kiras të Shkodrës ka mbetur i vdekur në rrethana ende të paqarta. Mesditën e djeshme, Ethemi ka tentuar të vrasë një tregtar, i cili ka ikur me vrap dhe në ndjekje të tij ka shtirë disa herë me pistolete të mes të qytetit duke rrezikuar seriozisht jetën e kalimtarëve të rastësishëm. Më pas i ka dhënë fund jetës me plumbin e fundit që i kishte mbetur. Ka qenë ora 14:50 kur Et'hemi është parë në gjendje jo normale duke lëvizur në një rrugicë pranë sheshit të stadiumit në drejtim të rrugës "Bujar Beshanaku". Në dorë kishte një pistoletë me të cilën ka qëlluar në drejtim të shtetasit B. Zalli, pronar i një dyqani të vogël. Ndjekja ka vazhduar për rreth 70 metra, ndërsa kalimtarët e shumtë të rrugës me dy korsi janë terrorizuar nga plumbat që fatmirësisht nuk kanë kapur njeri. Ndërsa objekti i sulmit ka mundur të largohet duke vrapuar, Ahmet Et'hemi me armë në dorë ka kaluar korsinë e rrugës dhe është futur tek njëri prej dyqaneve që ndodhen në të djathtë të saj, ku tregtohen mallra ushqimore me shumicë . Aty ai ka hyrë tek magazina, dhe mendohet se ka qëlluar veten në kokë, me plumbin e fundit që kishte në pistoletë. Policia, e cila ka parë skenën që nga të shtënat e para, ka tentuar ta ndalojë, madje ka qëlluar në ajër, por Et'hemi iu është kundërpërgjigjur me armë. Në vendin e ngjarjes, 52 vjeçari që është mundur të identifikohet vetëm pas rreth 90 minutash, është gjetur me armën në dorë, i vdekur me një plumb në kokë. Arma ishte e hapur pasi nuk ka patur fishekë të tjerë. Në vendin ku ai ka qëlluar për herë të parë dhe gjatë rrugës janë gjetur disa gëzhoja pistolete. Janë shoqëruar për të dhënë sqarime disa dëshmitarë okularë dhe personi që ishte objekt i sulmit të Et'hemit. Sipas dëshmive të grumbulluara nga policia, Ahmet Eth'hemi është ndaluar në rrugë tek shtetasi B. Zalli që shet perime e fruta dhe i ka thënë atij ti peshonte dy kg mollë. Ndërsa priste porosinë ka larguar bluzën dhe ka vënë dorën në pistoletë. Kur ka parë këtë B. Zalli është larguar me vrap, duke u ndjekur nga Ahmet Et'hemi që qëllonte pa e ditur se ku. Prokuroria po merret me zbardhjen e plotë të ngjarjes që sipas të dhënave paraprake është një tentativë vrasjeje e dështuar që ka përfunduar me vetëvrasje. Viktima, një ish-ushtarak i liruar, thuhet se ka qenë në gjendje të dehur në momentin kur ka filluar të qëllojë. Madje mësohet se viktima ka patur disa kohë që ka shfaqur shqetësime mendore. Nga deklarimet që policia i ka marrë familjarëve të viktimës, bashkëshortja e tij ka deklaruar se ai e ka marrë në celular pak para se të ndodhte ngjarja dhe i ka thënë: "Ma bëni hallall se do vras veten".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›