PS, Bushati: Dhunimi i posterave, akt barbar i Berishës
Nënsekretari për programin në Partisë Socialiste, Ervin Bushat, ishte dje i pranishëm në qendër të Tiranës, ku konstatoi se ishte dëmtuar posteri elektoral i PS-së dhe e cilësoi këtë si një veprim të shëmtuar të Sali Berishës. Ky nuk është një rast i veçuar po një fenomen i përsëritur anembanë Shqipërisë. Këto janë veprime të dëshpëruara nga një njeri i dështuar, nxitoi Bushati të individualizojë fajin e dëmtimit të posterit duke i vënë emrin autorit, Sali Berisha.
Ndërkaq, ka reaguar edhe Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ku u bëri thirrje të gjitha Subjekteve Politike dhe Njësive të Qeverisjes Vendore, që të zbatojnë dispozitat e nenit 79 të Kodit Zgjedhor në lidhje me materialet propagandistike. Mësohet se, mbi bazën e veprimeve procedurale të kryera nga Komisariati i Policisë Nr.6 Tiranë, konflikti ka filluar si rezultat i ngritjes së një çadre me funksion propagandistik përpara Njësisë Bashkiake Nr.6 Tiranë, nga ana e përfaqësuesve të Partisë Socialiste, veprim ky i kundërshtuar nga ana e përfaqësuesve të Njësisë Bashkiake Nr.6 Tiranë. Si rrjedhojë, po kryhen veprimet hetimore e procedurale, dhe materiali ju referua Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të goditjes për shkak të detyrës. Pas denoncimit të rasti në fjalë, Bushati ka kujtuar një prej premtimeve të Berishës, sipas tij të pa mbajtura për bujqësinë, saktësisht për heqjen e akcizës së naftës. Në vitin 2005 Sali Berisha premtoi se do të kishte prioritet Bujqësinë në qeverinë e tij. Ai premtoi se karburanti për konsum bujqësor do të sigurohet me një çmim prej jo me shumë se 40 lekë për litër, për të gjithë fermerët shqiptarë. Berisha jo vetëm nuk e mbajti premtimin e bërë për të garantuar këtë çmim, por e përkeqësoi gjendjen, tha Bushati. Sipas tij, aktualisht fermerët paguajnë 120 lekë në litër për karburantin e tyre, pra 3 herë më shumë se sa premtoi Berisha.Berisha dështoi. Çdo herë që Berisha u ka bërë një premtim fshatarëve dhe agrobiznesit, ai nuk e ka mbajtur premtimin. Sot e përditë ai vazhdon tu servirur premtime boshe shqiptarëve. Mos mendon se shqiptarët nuk i kujtojnë premtimet e tij të pa mbajtura? Berisha ka dështuar ndaj vendit dhe i ka kthyer shpinën popullit shqiptar, kështu në 28 qershor populli shqiptar ka rastin ti kthejë përfundimisht shpinën Sali Berishës dhe politikës së tij të vjetër, u shpreh më tej Bushati. Ai, gjithashtu deklaroi se në 28 qershor, shqiptarët do të bashkohen me Politikën e Re për Ndryshim të Edi Ramës dhe të Partisë Socialiste, duke u shprehur se Politika e Re për Ndryshim ofron shpresë dhe mundësi për të gjithë shqiptarët.