E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, kapen rreth 2 ton kanabis me destinacion Italinë

SHKODER - Një sasi kanabis mbi 1. 5 - 2 ton kanabis sativa është sekuestruar sot paradite në fshatin Pulaj të komunës Velipojë. Lënda narkotike u gjet pranë bregut të Bunës.

Droga është gjetur në breg dhe dyshohet se trafikantët do të bënin sot transportimin e drogës. Fillimisht u tha se destinacioni i drogës ishte Mali i Zi, pasi vendi ku u kap droga është pranë kufirit me Malin e Zi,  por të dhënat e fundit të policisë bëjnë të ditur se droga mund të kishte destinacion Italinë, nisur dhe nga gomonia 15 metra e gjatë dhe me 2 motorë të fuqishëm që u sekuestrua.

Droga është transportuar me një makinë tip IFA deri në breg të detit ku gjendej dhe një gomone 15 metra e gjatë dhe me 2 motorë. Gomonia drejtohej nga 2 persona të cilët mbanin të veshur dorashka. Ndërkohë që një grup tjetër personash bënin transportimin e lëndës narkotike nga Ifa drejt bregut. Në momentin kur ka ndërhyrë policia shkarkuesit e drogës janë larguar në drejtim të paditur nëpërmjet tokës, ndërsa dy personat që ishin në gomone janë hedhur në det, për të shpëtuar. Policia dyshon se kemi të bëjmë me një rrjet të mirëorganizuar të trafikut të drogës, informon korrespondenti i TV A1 Report dhe Shqiptarja.com, Admir Agolli.

Policia është vënë në ndjeke të autorit (ëve). Mendohet se lënda narkotike është prodhuar në zonën e Shkrelit. Ende nuk është bërë peshimi i lëndës narkotike për të përcaktuar sasinë e saktë të drogës së sekuestruar.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›